Mero Baze
I ngarkuari me punë i Ambasadës së SHBA në Tiranë, David Wisner, i cili kryen rolin e ambasadorit të SHBA në Tiranë, përsëriti sot për të disatën herë faktin se qëndrimi i SHBA ndaj personave “non grata” nuk ka ndryshuar, duke ju referuar një pyetje direkt për Sali Berishën. Dhe më tej ai shtoi se shqiptarët nuk kanë pse e lidhin të ardhmen e tyre me njerëz të korruptuar.
Në fakt, i vetmi sukses që ka arritur Berisha tre vjet pasi është shpallur “non grata”, është se herë pas here krijon iluzione tek mbështetësit e vet, se “po e rregullon me SHBA” apo se Britania e Madhe do të ndryshojë qëndrim. Dhe në të vërtetë është shumë fyese për inteligjencën të pyesësh vazhdimisht SHBA “mos keni ndryshuar gjë mendje për Sali Berishën”, bazuar po në gënjeshtrat e Berishës, por media është e detyruar ta bëjë këtë jo për të sqaruar veten, por për të sqaruar trushpëlarët e tij.
Pyetja e vërtetë në këtë histori nuk është a ka ndryshuar mendjen SHBA për Berishën, por a ka ndryshuar mendje partia e Berishës për SHBA.
Me shpalljen e Berishës “non grata”, partia e tij u hodh në një beteje për të zaptuar PD zyrtare dhe për ta përdorur atë si kalë beteje kundër SHBA. Edhe pse arriti të marrë shumicën e strukturave të partisë dhe më pas dhe shumicën e deputetëve, Berisha ende nuk ka mundur të marrë vulën dhe emrin zyrtar të PD. Por kjo nuk e ka penguar partinë e tij të sillet sikur përfaqëson gjithë opozitën dhe të sulmojë në emër të opozitës, SHBA-në.
E vetmja gjë për të cilën Berishës i duhet vula dhe sigla, nuk janë më votat, por monopoli mbi opozitën, që SHBA-në ta sulmojë ne emër të saj.
Është kjo arsyeja që ai pranoi të bënte sikur respektonte dhe marrëveshjen e Gazment Bardhit me Gjiknurin për komisionet hetimore, apo të bëjë sikur është dakord që disa prej deputetëve të mos e sulmojnë SPAK, si e sulmon ai. Atij i intereson që ata të quhen si mbështetës të tij dhe të mos kundërshtojnë retorikën e tij anti-amerikane publikisht. Dhe këtë po e arrin.
Ndaj pyetja shtrohet a kanë ndryshuar deputetët që kanë shkuar pranë Berishës mendimin ndaj SHBA, apo tani janë kundër saj, si Berisha?
A është gati partia e Berishës, e gjitha ashtu siç është, të jetë në një front me Berishën kundër SHBA apo jo?
SHBA ka konfirmuar për të disatën herë qëndrimin e saj ndaj Berishës, në mënyre fyese për inteligjencën e çdo shqiptari, për t’u kujtuar të tjerëve detyrat e tyre në raport me Berishën. Dhe të tjerët janë drejtësia shqiptare, mbështetësit e Berishës dhe deputetët që shkojnë pas Berishës, me shpresë që do t’i marrin atij pjesë nga pushteti politik, meqë është njeri në hall, por dhe qeverisë, që të mos i krijojë mundësi faktorizimi.
Ata që duan të duken dhe pro SHBA, dhe pro Berishës, apo edhe pro atyre që sulmojnë SPAK, dhe me SPAK, duhet të zgjedhin të jenë në partinë e Berishës për ta fuqizuar atë kundër SHBA, apo të jenë në partinë e tij për të fuqizuar SHBA kundër tij, siç e shesin nën zë.
Dhe e keqja është se këtë përgjigje e duan të dy palët, dhe SHBA, dhe Berisha. Se nuk janë në kushtet e paqes ku qengji i urtë pi dy nëna. Janë në kushtet kur të mund të mos pinë dot asnjë.