Në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë është realizuar për herë të parë u realizua operacioni në arterien karotide në qafë te një grua e moshës 60 vjeçe.

Në këtë operim u përdor një aparaturë e re joinvazive për matjen e oksigjenimit të trurit. Një risi tekonolgjike kjo e papërdorur më parë nga bluzat e bardha në vend.

Operacioni u demonstrua nëpërmjet Konferencës Ndërkombëtare të Shoqatës Shqiptare të Anestezi-Reanimacionit, e cila u drejtua nga Prof. Asc. Saimir Kuçi.

Gjithçka ishte një bashkëpunim i Shërbimit të Kirurgjisë Vaskulare dhe Shërbimit të Anestezi-Reanimacionit në QSUT.

Në këtë ndërhyrje të vështirë kirugjikale morën pjesë profesor Sokol Xhepa, doktor Stavri Llazo dhe Prof. Asc. Alfred Ibrahimi.

“Databaza ekziston dhe shërbimi ynë e bën për të dyja patologjitë, si për stenozat karotide, ashtu edhe për aneorizmat e aortës abdominale. Në 6 vitet e fundit ne e kemi ngritur shumë numrin e trajtimit të këtyre dy patologjive edhe për shkak të rritjes së nivelit profesional të të gjithë ekipit, por njëkohësisht dhe mundësimit të pajisjes së aparateve dhe materialeve specifike, sepse pa ato është e pamundur të bëhet dhe për të pasur rezultate pozitive. Për këtë operacion kemi pasur një bashkëpunim me neurokirurgjinë. Ekoja e karotideve duhet të futet në check-up”, u shpreh një nga mjekët që mori pjesë në sallë, Sokol Xhepa.

Arteriet karotide janë dy arteriet kryesore që furnizojnë trurin me gjak. Ato ndodhen në dy anët e qafës. Stenoza e arteries karotis është ngushtimi i kësaj arterieje nga pllakat arteriosklerotike.

Zakonisht nga këto probleme shëndetësore preken personat mbi 60 vjeç, individët që kanë hipertension arterial, ata që kanë kolesterol të lartë si dhe diabetikë dhe pacientët me sëmundje të arterieve koronare.