Numri i njerëzve që kanë kaluar ilegalisht Kanalin Anglez është rritur që nga fillimi i vitit me 41.7% krahasuar me vitin 2023 në një rekord të ri, sipas një raporti të AFP-së bazuar në shifrat zyrtare britanike.
Në tremujorin e parë të 2024, 5,373 persona kaluan Kanalin ilegalisht, krahasuar me 3,793 në tremujorin e parë të një viti më parë. Ky është një rekord për këtë periudhë.
Vetëm në mars, 3,118 persona kaluan Kanalin. Dje të dielën 442 njerëz arritën në brigjet angleze me nëntë varka dhe 349 të shtunën. Që nga fillimi i vitit, të paktën shtatë emigrantë, përfshirë një vajzë 7-vjeçare dhe një djalë 14-vjeçar, janë mbytur në det duke u përpjekur të mbërrinin në Britani.
Në vitin 2023 pothuajse 30,000 emigrantë kaluan Kanalin Anglez. Që kur u bë kryeministër i Britanisë, Rishi Sunak e ka bërë një prioritet kryesor menaxhimin e imigracionit të paligjshëm, duke theksuar angazhimin e tij për të “ndaluar varkat”.
Çdo rritje e emigrantëve në Britani përtej Kanalit mund të përkeqësojë më tej pozicionin e konservatorëve vetëm disa muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme, në të cilat sondazhet parashikojnë një fitore dërrmuese të Laburistëve.