Ashtu siç kishin planifikuar, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe vendosën sanksione të reja ndaj Iranit pas sulmit të Teheranit gati një javë më parë.
Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja e Departamentit të Thesarit vuri sanksione ndaj 16 individëve dhe 2 entiteteve në Iran, që prodhojnë motorë për dronët që u përdorën në sulmin e 13 prillit ndaj Izraelit.
Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja vendosi sanksione edhe ndaj 5 kompanive të cilat merren me prodhimin e çelikut si edhe tre degë të kompanisë së prodhimit të automobilave Bahman Group, që akuzohet se po mbështet me materiale të ndryshme ushtrinë e Iranit, si dhe grupe të tjera ndaj të cilave janë vendosur sanksione. Edhe Britania e Madhe vuri sanksione ndaj njësërë njësish ushtarake iraniane, individë dhe entitete të lidhura me industrinë iraniane për prodhimin e dronëve dhe raketave.
Presidenti Joe Biden tha përmes një deklarate se ka udhëzuar Departamentin e Thesarit të “vazhdojë të vendosë sanksione për të dëmtuar edhe më shumë industrinë ushtarake të Iranit”.
“Le ta kenë të qartë të gjithë ata që mundësojnë ose mbështesin sulmet e Iranit se ne nuk do kemi asnjë mëdyshje për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’i mbajtur përgjegjës”, tha Biden.
Po ashtu raportohet se edhe Departamenti i Tregtisë po vendos masa të reja për të kufizuar qasjen e Iranit ndaj teknologjisë, si për shembull pajisjeve mikroelektronike, të cilat prodhohen jashtë Shteteve të Bashkuara, por duke përdorur teknologjinë amerikane.
Po ashtu edhe udhëheqësit e BE-së njoftuan për sanksione të reja. Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Europian Josep Borrel tha se sanksionet të cilat janë aktualisht në fuqi do të forcohen dhe zgjerohen për të ndëshkuar Teheranin dhe për të parandaluar sulme të tjera ndaj Izraelit. Në të njëjtën kohë, tha ai, Izraeli duhet të tregohet i përmbajtur.