Të shtunën e 13 prillit, nëna e 3-vjeçarit e kishte lënë si zakonisht djalin për disa orë me gjyshërit e tij, pa e ditur që prindërit e bashkëshortit që nuk jeton më, nuk do ja kthenin.
E dëshpëruar, nëna e re nga Këneta e Durrësit u detyrua t’i drejtohej policisë të martën e 16 prillit për t’i kallëzuar gjyshërit e fëmijës.
Policia e Durrësit, pas kallëzimit të së resë, vijoi kërkimet në qytetin bregdetar, në Kukës e Has, ku mundën të vinin në pranga gjyshin Rexhep Gjuni dhe kunatin e tij, por nuk gjetën asnjë gjurmë nga 3-vjeçari apo gjyshja e tij që e mbante.
Edhe pas arrestimit të Rexhep Gjunit, oficerët e patën të pamundur të zbërthenin të moshuarin për vendndodhjen e nipit.
Gjatë marrjes në pyetje ai pati deklaruar se nusja i kishte kërcënuar se nuk do ta shikonin me nipin pasi do të largohej me të jashtë shtetit. Në këto kushte, ata kishin vendosur ta merrnin vogëlushin i cili siç është shprehur gjyshi, u përkiste atyre dhe ishte i vetmi kujtim nga djali i tyre që kishte ndërruar jetë një vit më parë.
Të premten, gjykata e Durrësit caktoi masën e arrestit në burg për gjyshin dhe kunatin e tij, të cilët akuzohen për veprën “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit” .
E gjithë kjo situatë bëri që Barie Gjuni, gjyshja e fëmijës të dorëzohej përpara uniformave blu.
Pas presionit të kontrolleve të shumta dhe masës shtrënguese që u ndërmor ndaj bashkëshortit të saj dhe vëllait, ajo dorëzoi djalin në ambientet e policisë së Durrësit.