Krahas garës treshe për titullin kampion, në Premier League po zhvillohet një betejë e fortë edhe në zonën e mbijetesës, aty ku Luton dhe Burnley shpresojnë ende të parakalojnë Nottingham Forestin apo Evertonin në katër javët e mbetura, për të siguruar qëndrimin në elitën e futbollit anglez.
Të dielën Evertoni fitoi përballjen direkte me Nottingham Forest me rezultatin 2-0 duke u larguar 5 pikë larg zonës së ftohtë, megjithatë skuadra mike ka reaguar ashpër, pasi ndihet e vjedhur dhe duket se ka arsye të forta për këtë pretendim.
Plot tre janë rastet kur Nottingham Forest ka pretenduar për penallti ndaj Evertonit dhe në të tre rastet arbitri ka vendosur ndryshe, duke marrë konfirmimin në kufje edhe nga salla e VAR-it.
Pikërisht arbitri i VAR-it ka përfunduar në shënjestrën e drejtuesve të Nottingham, të cilët që para ndeshjes kishin paralajmëruar se ai ishte një fans i deklaruar i Lutonit, por alarmi i tyre nuk u mor parasysh nga komisioni që përcakton arbitrat.
Nottingham Forest së fundi ka reaguar edhe zyrtarisht, duke kërkuar publikimin e audiove të komunikimit mes kryesorit dhe arbitrit të VAR-it për tre rastet kur miqtë pretenduan për penallti.
Bëhet fjalë për tre episode ku protagonisti negativ për Evertonin u më mbrojtësi me eksperiencë, Ashley Young, i cili në minutat 24’ dhe 56’ ndërhyri në kohë vonesë, duke gjetur këmbët e kundërshtarëve në vend të topit, ndërsa në të 44-ën devijoi me dorë në këndore, një top të rrezikshëm të skuadrës mike.
“Ne kishim paralajmëruar se arbitri i VAR-it ishte fans i Lutonit, por nuk na e morën parasysh. Durimi ynë është testuar shumë herë dhe tani është koha të kërkojmë drejtësi. Duam publikimin e komunikimit autio mes arbitrit kryesor dhe atij të VAR-it, që “heshti” duke na mohuar tre penallti”, thuhet në reagimin e klubit anglez.
Arbitri kryesor i takimit Everton-Nottingham Forest ishte Anthony Taylor, ndërsa në sallën VAR ishte Stuart Attwell, për të cilin tani është hapur edhe një hetim mbi integritetin e tij.