Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv ka dënuar sulmet e Ilir Metës ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme.

Për gazetarin Arbër Hitaj, Bushka theksoi se edhe në kohën kur Meta ishte president ka sulmuar drejtësinë, ndërsa theksoi se sulmet janë shqetësuese dhe duhet të dënohen.

‘Meta edhe kur ishte president sulmonte drejtësinë. Është detyra jonë të qëndrojmë krah drejtësisë të dënojmë çdo akt që bie ndesh me parimet e shtetit të se drejtës. Ata janë duke bërë punën e tyre dhe duke ushtruar funksionet e veta. Sot janë tërësisht të pavarur. Sulmet shqetësuese dhe duhet të dënohen. Profesionistët e drejtësisë nuk tunden, janë profesionistë. Reforma në Drejtësi është një nga shtyllat kryesore të shtet ndërtimit në Shqipëri. Sot SPAK ka rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.’- tha Bushka.

Sa i takon protestës së Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë para dyerve të bashkisë së Tiranës, Bushka e cilësoi si një protestë jo politike, por të një grupi njerëzish që përdoren për interesa politike.

‘Fakti që njerëzit protestojnë tregohet edhe për cilësinë e demokracisë. protestat e dhunshme janë të dënueshme, përdorimi i molotovit apo të reagosh me forcë ndaj efektivëve janë vepra penale. S’më vjen mirë që shoh ato veprime në protestë. Nuk ishte një protestë politike, por një grup njerëzish që përdoren për interesa politike. Ata që protestojnë në krye të tyre kanë një ‘non grata’ që sulmon drejtësinë. Hipokrizi… që shkon para bashkisë për ato çështje që bashkia e Tiranë i ka me drejtësinë dhe nga ana tjetër sulmojnë drejtësinë. Hipokrizia më bën të besoj se nuk është protestë qytetare, pasi përdoret për interesa personale të dy njerëzve.’- tha Bushka.