Nga data 7 deri më 9 prill, Shqipëria do të jetë vendi pritës i Takimit të 70-të të Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit, një ngjarje me rëndësi historike jo vetëm për fushën e turizmit, por edhe si një organizim i nivelit të lartë të UNWTO që mbahet për herë të parë në vendin tonë.
Përmes një videospoti, ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro është shprehur se një ngjarje e tillë do ta kthejë Tiranën në një pol dinamik të zhvillimeve në turizëm.
“Ditë të mbarë me entuziazmin dhe ndjesitë e Shqipërisë Turisitike ku me të njëjtën energji i japim mirëseardhjen sot delegacioneve të Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit që e kthen Tiranën në një pol dinamik të zhvillimeve në turizëm dhe ngre në një tjetër nivel promovimin e Shqipërisë”,- shkruan Kumbaro.
Pasditen e kësaj të diele pritet mbërritja e delegacioneve të UNWTO përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate Zurab Pololikashvili, Drejtoresha Ekzekutive e UN Tourism Natalia Bayona si dhe ministra të Turizmit e përfaqësues të lartë të këtij sektori nga 40 vende të Europës.
Sipas agjendës së bërë publike, ditën e hënë më 8 prill do të mbahet mbledhja të 70-të të Komisionit për Evropën të UNWTO, ku do të marrë pjesë kryeministri Edi Rama dhe Kumbaro.
Më date 9 prill, do të mbahet edhe një Konferencë për Investimet në turizëm me tre panele diskutimi, gjatë së cilës do të prezantohet përmes një ceremonie zyrtare udhëzuesi “Tourism Doing Business: Investing in Albania.”
Ky botim vjen si një punë e përbashkët e Organizatës Botërore të Turizmit dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit së Shqipërisë që do t’u prezantohet aktorëve dhe palëve të interesuara të industrisë së turizmit.
Një ditë më parë Kumbaro bëri publike shifrat e vizitorëve të huaj për muajin mars, duke nënvizuar se ky muaj shënoi një rekord të ri në flukset hyrëse prej 1.7 milionë turistësh të huaj.