Komisioni i Disiplinës në FSHF ka pezulluar për 6 muaj nga futbolli Redi Jupin, trajnerin e ‘Football Republic’, pasi në një ndeshje të moshave ka aktivizuar një futbollist i cili nuk lejohej. Jupi, një ish-futbollist me emër në futbollin tonë, e ka pësuar bashkë me akademinë që ai drejton, pasi ekipi U-15 ka humbur 0-3 ndeshjen në tavolinë kundër Dinamo City.
Ndër vendimet e tjera bie në sy se Elbasani është dënuar të luajë 4 ndeshje pa tifozë për shkak të sjelljes së tyre në ndeshjen e fundit kundër Lushnjes. Ata kanë fyer futbollistët e ekipit mik gjatë gjithë kohës, ndërsa kanë hedhur edhe sende në fushë. Përveç mbylljes së dyerve të stadiumit, Elbasani duhet të pagujë edhe një gjobë prej 200 mijë lekësh.
Sakaq është paralajmëruar Tirana që të pagujë paratë që i detyrohet Orges Shehit, trajnerit aktual të Partizanit. Ky i fundit pas shkarkimit në tetor nga bardheblutë hodhi në gjyq klubin dhe dhoma e zgjidhjes së konflikteve i dha të drejtë. Në rast se Tirana nuk i paguan detyrimet e prapambetura dhe atë që i detyrohet pas shkarkimit, bardheblut mund të dënohen deri në heqje pikësh.