Ditën e djeshme është arrestuar vëllai i deputetit të PS-së në Lezhë, Armando Ndreca. 32-vjeçari Armando Ndreca i cili është vëllai i deputetit të PS, Eduard Ndreca u arrestua pasi dyshohet se është i përfshirë me një rast të kultivimit të drogës në fshatin Kashnjet. Në lidhje me këtë rast u vendosën në pranga edhe dy persona të tjerë. Ndërkohë sot kanë dalë pamjet nga arrestimi i Ndrecës në një servis në qytetin e Lezhës.

Në video vihet re momenti kur Ndreca, iveshur me një bluzë ngjyrë blu, prangoset nga nga disa policë. Sipas njoftimit të policisë që u publikua ditën e djeshme bëhet me dije se gjatë operacionit anti-drogë në Kashnjet u zbulua një stan i cili ishte përshtatur për të kultivuar bimë narkotike. Përveç arrestimit të 32-vjeçarit bëhet me dije se janë arrestuar edhe dy bashkëpunëtorë e tij 27-vjeçari Armel Nikdukaj dhe 28-vjeçari Elvis Shpellzai. Më tej në njoftim thuhet se në stanin e përshtatur për kultivimin e drogës ishin instaluar llamba të cilat ishin me lidhje të jashtëligjshme të energjisë elektrike.

Policia ka sekuestruar 2973 bimë narkotike, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 50 llamba, pajisje ventilimi, sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale dhe 3 celularë. Kontrolle janë kryer edhe në banesën e të arrestuarve ku janë gjetur 3 armë të ftohta dhe 1 maskë.