Shefja e BE-së, Ursula von der Leyen tha të premten se Rusia tani po i përqendronte sulmet e saj hibride në Finlandën fqinje, duke përdorur emigrantët në përpjekje për të destabilizuar vendin.

Vendi nordik mbylli kufirin e tij lindor në mes të dhjetorit pasi afro 1000 emigrantë kishin mbërritur pa viza përmes pikave kufitare me Rusinë që nga gushti.

Të dy fqinjët ndajnë një kufi prej 1,340 kilometrash dhe Helsinki ka thënë se rritja e azilkërkuesve është orkestruar nga Rusia, një akuzë që Moska e ka mohuar.

“Që nga sulmi hibrid i nisur nga Bjellorusia në nëntor 2021 kundër Letonisë, Polonisë dhe Lituanisë, ne të gjithë e dimë se si Putini dhe aleatët e tij instrumentalizuan emigrantët për të testuar mbrojtjen tonë dhe për të provuar të na destabilizojnë. Tani, Putini po fokusohet në Finlandë.”, tha von der Leyen.

Në vitin 2021 Bjellorusia orkestroi një fluks emigrantësh në Poloninë fqinje, Lituani dhe Letoni, duke çuar në një përkeqësim serioz të marrëdhënieve midis Bashkimit Evropian dhe Minskut. Marrëdhëniet e Finlandës me Rusinë u përkeqësuan pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.

Moska paralajmëroi për “kundërmasa” pasi Finlanda u bashkua me NATO-n në prill 2023, duke përmbysur politikën e saj prej dekadash të mos-angazhimit ushtarak.

Përveç mbylljes totale të kufijve, Finlanda po përgatit aktualisht legjislacionin që synon kufizimin e migracionit për të trajtuar fenomenin.