Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj në një intervistë në emisionin “Real Story”, në ABC News, teksa foli për projektin politik, u shpreh optimist edhe për vitin tjetër. Veliaj u ndal edhe tek investimet dhe projektet e arritura në Tiranë, duke theksuar se qytetarët janë ata që votojnë dhe se presin që fjala e dhënë të mbahet.
Synimi kryesor shtoi ai ka qenë infrastruktura, shkolla, kopshte, çerdhe, si edhe furnizimi me ujë.
Pyetje: E kuptoj, por ju thash, ju nuk goditeni dhe të jeni i sigurt për këtë, ju mund ta mohoni por nuk ka problem e pohoj unë me përvojën dhe intuitën time si gazetar prej më shumë se 30 vitesh që goditja që merrni, nuk ua bëj dot më si pyetje e kam tashmë konstatim të verifikuar, që goditja që ju merrni nuk është më vetëm si kryetar i bashkisë së Tiranës. Goditeni për shkak të projektit politik që ju përfaqësoni. Sigurisht është projekt politik i z. Rama, por ku ju konsideroheni një pjesë e rëndësishme e saj. Megjithatë, dikush mund të thotë, problemet që ka sot bashkia e Tiranës, Rrogozhinës, Kamzës, Vorës, humbja e Kavajës, a mos po tentohet të ndalet projekti politik i Erion Veliajt?
Erion Veliaj: Jam jo vetëm me sondazhet me gjithë kontaktet në terren, jashtëzakonisht optimist për atë që na pret vitin tjetër. E kuptoj rëndësinë, janë rreth 40 mandate në Tiranë. Praktikisht qarku i Tiranës, do të ndajë këtë histori. Ju kujtoj që në Kamëz kemi fituar me mbi 60 përqind, në Vorë me mbi 70 përqind. Në disa nga periferitë e Tiranës, ku PS nuk afrohej kurrë, siç ka qenë Farka, Zall Herri apo zona të tjera, ne sot jemi mbi 70 përqind se kemi punuar. Kemi çuar rrugë atje ku nuk ka patur rrugë, shkolla atje ku s’ka pasur shkolla, ujë atje ku nuk ka patur ujë. Pra, kanë ndodhur ndryshime të jashtëzakonshme. Pjesa e rrethinës së Tiranës, që deri dje konsiderohej fundi i botës, sot të shkosh në Zall Bastar, apo Krrabë është punë minutash për mënyrën se si kemi punuar me infrastrukturën dhe në finale njerëzit këtë kërkojnë. Nuk votojnë për krushqi me ty, te kenë dreka e darka as të të kenë dhëndër, sa do mundohesh të jesh prezent në të gjithë territorin. Votojnë të mbash fjalën për ato që ke dhënë, që ka qenë infrastruktura, shkolla, kopshte, çerdhe, që kanë qenë furnizimi me ujë. Dhe unë besoj fort sot që, në një qytet që është transformuar nga mbrapsht – parc, që është transformuar nga qyteti Pyongyang, qytet i Koresë së Veriut ku turistët numëroheshin me gishta dhe ne të dy shkonim te hotel Dajti për të parë si dukej kanoçja e Coca Colas, sot është qyteti që ka në muaj turistë sa ka banorë. Pra nëse në atë që presim këtë vit, rreth 14 milionë turistë rreth 10-12 do kalojnë të paktën një xhiro në Tiranë, i bie rreth 1 milion turistë në muaj. Pra, praktikisht qyteti dyfishohet, që do të thotë dyfishohet pastrimi, amortizimi, nevoja për parkim, mbetjet. Unë jam i ndërgjegjshëm për këtë, por këto janë probleme të botës së parë, ndërkohë që para 8-9 vitesh ne kishim probleme të botës së tretë. Ti shkoje te ky bulevard dhe bije te një nga pusetat, një çift të moshuarish u bë lajm se si njëri humbi në pusetë dhe u plagos, gjëra që nuk ndodhin sot me në Tiranë. Mund të ketë debate për çfarë ndodh me inceneratorin dhe le t’i shkojë drejtësia deri në fund, por plehrat mullar në Tiranë, pavarësisht se është shtuar konsumi, vlera e pronës në Tiranë, kujtoi një Tiranë, ku njerëzit donin të shisnin dhe të iknin. Sot të huajt janë duke blerë në Tiranë. Sot, ti ke italianë që po blejnë prona në Tiranë, ukrainas po blejnë prona në Tiranë, polakë, gjermanë, amerikanë. Kur ti shikon edhe afrikanë të pasur nga Nigeria, Afrika e Jugut që vijnë në Tiranë, ti kupton që sot qyteti është kthyer në një qytet global. Pra, në një qytet që është në hartën e atyre që duhet patjetër ta shohin këtë transformim. Në emër të këtij transformimi dhe të fëmijëve të atyre që kanë lindur dhe ende nuk kanë lindur unë do t’i bëj këto beteja. Nëse i shqetëson beteja politike, dua t’i them kundërshtarëve të mi që më kanë karikuar më shumë seç isha përpara, më kanë zgjuar dhe thirrur në betejë më herët seç kisha ndërmend të dilja dhe kjo është një dejavu. Kam bërë 6 herë këtë rutinë dhe ka rezultuar që në finale shumica e heshtur, shumica e ndershme dhe shumica e njerëzve që mbështesin punën dhe jo llogjet dhe pengesat janë ata që vendosin.