Nga Kristi Gongo
“Azgan, po të luajti njeri atje… Azgan, Azgan! Zoti para..”Fytyra e qeshur e 23 vjeçarit shqiptar vrasës dhe sjellja e frikshme e familjarëve të tij, më sollën në mend rastin e një ngjarje kriminale të një 15 vjeçari amerikan, Ethan Crumbley.
Marrja e jetës së katër nxënësve në shkollën e mesme të Oxford-it në 2021, për gjyqtaren Cheryl Matthews nuk kishte fajtor vetëm Ethan-in por edhe prindërit e tij, të cilët u dënuan për vrasje të pavullnetshme me 10 vite burg. Edhe pse pa shkrepur armën, babai dhe nëna e vrasësit amerikan, James dhe Jennifer u gjykuan si shkaktar të krimit, për atë që u vlerësua si një “katastrofë e pritshme”. Teksa dhe prindërit e viktimave në Michigan i akuzuan për prindërim të dështuar.
Në mendimin tim, ky precedent i krijuar do doja të mos mbetej në anën tjetër të botës; prindi duhet të mbajë përgjegjësi qoftë për neglizhencën e kushtuar, për dhënien e modelit të lirisë së tepruar aq sa për të cënuar liritë e tjetrit, për përkëdheljen e sedrës me armët që i duken lodra, për rritjen e një qënie të shtrëmbëruar që beson se mund t’ia marr jetën kujtdo dhe kurdo.
Do doja që dhimbjen e prindërve të policit të vrarë teksa po kryente detyrën edhe pa pasur uniformë, siç ja kërkon ligji; do doja që lotët e gruas që mbeti e ve pa shijuar ende dashurinë e martesën, drejtësia jonë të mos e shlyente vetëm me plasjen pas qelisë së një krimineli që nuk dënjon as të ndjejë pendesë. Azgani nuk mund të frymëzojë kriminelë të tjerë se mund t’ja hedhësh paq, e prindër të tjerë që rrisin fëmijë si Azgani duhet të kuptojnë se kanë gabuar dhe ka ardhur koha të reflektojnë! Le të vuajnë dënimin e parë të kësaj natyre prindërit e Azganit, që të vrasim përbindshat e rradhës…