Gareth Bale, ish-futbollisti i Real Madridit, siguroi se ai ende e do dhe e mbështet Real Madridin dhe se shpreson që skuadra e bardhë të fitojë titullin e Champions League kundër Borussia Dortmund këtë të shtunë.
Bale, i cili këto ditë ndodhet në Londër për të ndjekur ndeshjen, ka dhënë një intervistë për gazetën britanike “The Guardian” në të cilën ka komentuar pse e sheh Real Madridin, si favorit këtë të shtunë.
“Liga e Kampionëve do të thotë shumë për klubin dhe tifozët. Është gara që vlerësohet më shumë se pjesa tjetër. Është objektiv çdo vit. Edhe kur duket sikur janë eliminuar, ata gjithmonë gjejnë një mënyrë për të ardhur.
Është ajo atmosferë, është ‘momenti’, Real Madridi dhe Kupa e Evropës. Ekipet kanë frikë të përballen me Madridin dhe kjo është shumë e rëndësishme,”- tha uellsiani.
Bale, veçanërisht në vitet e tij të mëvonshme, u kritikua për mungesën e angazhimit të tij ndaj klubit, veçanërisht për preferencën e tij për ekipin e Uellsit dhe për hobi të tij, siç është golfi, diçka që ai e mohon.
“Kam qenë atje për një kohë të gjatë. Unë ende kërkoj rezultatet e tyre, unë ende e dua ekipin dhe i mbështes akoma. Unë 100% shpresoj që Real Madridi ta ngrejë trofeun. Ata e kuptojnë presionin dhe e dinë çfarë i pret, që është një avantazh i madh”, shtoi ai.