Komisioni Evropian njoftoi sot se ka hapur hetimet ndaj kompanisë “Meta” lidhur me shqetësimet për mbrojtjen e fëmijëve në lidhje me platformat e saj Facebook dhe Instagram.
“Hetimet kanë të bëjnë me shqetësimet se dy platformat mund të shfrytëzojnë dobësitë dhe mungesën e përvojës së të miturve dhe të shkaktojnë varësi te ata”, sipas një njoftimi për shtyp të komisionit.
“Një problem tjetër janë efektet e “një mjedisi të çuditshëm, konfuz” që i tërheq ata në përmbajtje gjithnjë e më shqetësuese”, tha një zyrtar i komisionit. Ekzekutivi i BE-së është gjithashtu i shqetësuar për aksesin e të miturve në përmbajtje të papërshtatshme, si dhe për privatësinë e tyre.
Dy hetimet në Facebook dhe Instagram, respektivisht, preken nga Akti I Shërbimeve Dixhitale të Bashkimit Evropian (DSA), një ligj i gjerë i përmbajtjes në internet që kërkon që platformat e mëdha të vlerësojnë dhe të reduktojnë rreziqet e ndryshme që rrjedhin nga përdorimi i shërbimeve të tyre, veçanërisht për fëmijët. “Ne nuk jemi të bindur që kompania “Meta” ka bërë mjaftueshëm për të përmbushur detyrimet e DSA – për të ulur rreziqet e efekteve negative në shëndetin fizik dhe mendor të të rinjve evropianë në platformat e saj Facebook dhe Instagram”, tha komisioneri i industrisë së BE-së, Thierry Breton.