Kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i cili është edhe kandidat për Parlamentin Evropian nga radhët e Demokracisë së Re, të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis deklaron se është i vendosur të luftojë për pafajësinë e tij dhe për Himarën.
Ai është shfaqur teksa flet nga burgu për emisionin Live News në televizionin grek Mega.
Beleri ka deklaruar se është i vetmi kandidat për deputet në Parlamentin Evropian që nuk bën dot fushatë, pasi ndodhet në burg në vendin tonë, pasi akuzohet për blerje votash.
Po ashtu, ai është shprehur se në burg trajtohet njësoj si të gjithë të burgosurit e tjerë.
“Zgjohem në mëngjes dhe shoh para meje imazhin e Virgjëreshës Mari. Për tridhjetë vjet që jam marrë me politikë, doja t’u shërbeja të drejtave të grekëve në Shqipëri.
Ne nuk kemi të drejta, jemi larg asaj që ne e quajmë “shteti i së drejtës” dhe unë do të luftoj për to në Parlamentin Evropian .
Falenderoj kryeministrin grek që me këtë lëvizje për të marrë pjesë në zgjedhjet europiane më jep mundësinë të mbështes Himarën nga një këndvështrim tjetër. Nuk po heq dorë nga Himara”, ka thënë Beleri.
Ndër të tjera ai tha “pronat tona të konfiskuara nga regjimi komunist në Shqipëri nuk na u kthyen pas rënies së komunizmit në Shqipëri”.