Në dy raste ish kryeministri nën arrest shtëpiak, ka shkelur urdhrin e gjykatës për të mos kontaktuar me askënd përpos anëtarëve të familjes. Me këtë konstatim SPAK kundërshtoi testin e radhës të avokatëve mbrojtës të Sali Berishës që insiston heqje të masës së sigurisë, vendosur ndaj tij në fund të dhejtorit 2023. Si shembull të tretë të shkeljes së urdhrit të gjykatës SPAK parashtroi futjen e mjeteve teknike në banesë përmes të cilave realizohen fjalimet, duke provuar se ish funksionari po monitorohet nga prokurorët e Posaçëm. Si shkelje të masës SPAK renditi takimin me gazetarin e Rait dhe në rastin e dytë vizita e ish-eurodeputetit gjerman të CDU-së, Elmar Brok. Për të dyja këto gjetje prokurorët u bazuan tek këqyrjet në raportimet, njëra ndër to edhe nga Top Channel.
“Berisha ka që në 30 dhjetor që nuk ka dalë nga dera, këta thonë që ka thyer masën. Lajthitja e SPAK është e tillë që arresti në shtëpi nuk afekton aktivitetin e kryetarit të opozitës. Regjim putinist. Berisha thonë futi teknikë në shtëpi, ka takuar Brook dhe Rai3… ligji e lejon, nuk e ndalon një gjë të tillë”, tha avokati Genc Gjokutaj.
Gjyqtarja e Posaçme Irena Gjoka për të disatën herë rrëzoi ndryshimin e masës ndaj ish kryeministrit dhe dhëndërit, që të dy nën arrest shtëpie për llogari të dosjes Partizani. Biznesmeni Fatmri Bektashi gjithashtu nën hetim vijon nën masën e detyrimit me paraqitje dhe nuk e ka apeluar masën, po ashtu I dyshuar për korrupsion dhe pastrim parash.