Çdo llogari, çdo pikë, gjithçka ka ndodhur këtë sezon tani bëhet “nul”. Partizani-Egnatia, dy ekipet më të mira këtë sezon, përballet në një ndeshje teke, një finale që vlen titullin kampion. Në letër duket një sfidë mes barabartësh, në një kohë kur në 5 përballjet këtë sezon ndajnë një nga fitore për kokë dhe tre barazime, për këtë arsye është e vështirë të flasësh për favoritë. Kjo është një ndeshje teke, por më e shtrenjta në historinë e futbollit shqiptar, një ndeshje ku fituesi arkëton minimalisht 1 milionë euro, përfitime këto të garantuara nga pjesëmarrja në Evropë.
Partizani kapet fort pas fanellës, emrit të madhe që përfaqëson, por ekipi i Shehit nuk ka pas vetëm traditën e madhe, por edhe shifrat, në 6 ndeshjet e fundit kanë siguruar 6 fitore, por kujdes, është pikërisht Egnatia ekipi që i ka shkaktuar humbjen e fundit. Për Shehin ky është një shans i shkëlqyer për të siguruar titullin e dytë në tre vitet e fundit, për këtë arsye kërkon nga ekipi i tij të japin gjithçka për ta kthyer në një kujtim të bukur këtë finale.
I ndryshëm është diskutimi në radhët e Egnatias. Ekipi i Tetovës kryesoi kampionatin në mënyrë bindëse, nuk e lëshuan kreun për asnjë moment, duke e mbyllur sezonin e rregullt në vendin e parë. Egnatia është në kërkim të historisë, në kërkim të titullit të parë. Me Kupën në “xhep”, rrogozhinasit vijnë më të qetë në këtë finale, por Tetova dhe të besuarit e tij synojnë me kohë të plotë “dopietën” e famshme, kupë kampionat.
Atmosfera në “Air Albania” pritet të jetë e zjarrtë pasi të shumtë janë edhe tifozët që vijnë nga Rrogozhina, por pa diskutim stadiumi i kryeqytetit pritet të jetë i veshur me të kuqe. Kjo është një ndeshje unike, pasi për herë të parë luhet me një formulë të re, me sistem “final-four”, ndërsa do të gjykohet nga një arbitër shumë i njohur si Anthony Taylor.