Zgjedhjet për Parlamentin Evropian do të mbahen në vendet anëtare nga 6 deri më 9 qershor. Fushata zgjedhore po zhvillohet nën hijen e shumë sfidave me të cilat përballet Evropa e Bashkuar. Sipas sondazheve, sfida më e madhe do të jetë rritja në vota e partive të djathta ekstreme dhe atyre populiste.
Qytetarët e BE-së janë aktualisht më të shqetësuar për fuqinë blerëse, sigurinë dhe çështjen e migrimit. Dhe këto janë pikërisht temat që partitë dhe përfaqësuesit politikë nga ai bllok i ekstremit të djathtë po përpiqen t’u imponojnë votuesve. Ata mund të mos ofrojnë ndonjë zgjidhje konkrete, por tregojnë se kjo që po ndodh tani nuk është e mirë dhe kështu popullariteti i tyre po rritet. Tema e zgjerimit për afrimin e shteteve ballkanike po zë pak vend në këto zgjedhje. Ndërkohë sfida kryesore në rajon mbetet finalizimi i dialogut Kosovë-Serbi, përcaktimi i nje shefi të ri të diplomacisë evropiane në vend të Josep Borrell dhe ndërmjetësit të ri për dialogun në vend të Miroslav Lajçak.
Në këto vendimmarrje do të varet se kush do të formojë Komisionin Evropian dhe në çfarë mënyre. Si do të grupohen të gjithë ato parti që marrin vende eurodeputetësh në Bruksel.
Aktualisht grupi më i madh politik është Partia Popullore Evropiane, më pas Socialistët dhe Demokratët, pastaj Liberalët. Katër vendet e ardhshme janë zënë nga partitë e majta dhe të djathta. Se cilat do të jenë më shumë, do të dihet pas datës 9 qershor.