Bashkimi Evropian ka ftuar për të mërkurën takimin e radhës mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit.
Zëdhënësi i BE-së për punë të jashtme, Peter Stano do të vazhdojnë diskutimet për të gjetur zgjidhje të përkohshme të qëndrueshme për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, që ndalon pagesat me dinar.
Palët do të përfaqësohen nga kryenegociatorët, Besnik Bislimi nga pala kosovare dhe Petar Petkoviq nga pala serbe.
“Përfaqësuesi special për dialogun ka ftuar kryenegociatorët të vazhdojnë diskutimet. Do të takohen të mërkurën në Bruksel, do të vazhdojmë diskutimet për të gjetur zgjidhje të përkohshme të qëndrueshme, për të prekurit nga vendimi i BQK-së. BE-ja pret që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet e gatishmëri për të arritur kompromis”- shprehet Peter Stano, Zëdhënës i BE-së.
E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se rregullorja e BQK-së nuk ka synim të ndëshkojë ata që kryejnë pagesa me dinar, po shtrirjen e ligjshmërisë në sektorin financiar.
Duke nisur nga kjo e hënë, të gjitha transferet bankare në Kosovë do të kryhen vetëm me euro, pasi ka përfunduar faza tranzitore me anë të së cilës, BQK-ja ka informuar mbi ndryshimet që shkakton rregullorja në fjalë.
Rregullorja e BQK-së ka hyrë në fuqi në shkurt të këtij viti, faza tranzitore u mundësua për shkak të pakënaqësisë që pati komuniteti serb në Kosovë që e shfrytëzon dinarin si valutë të pagesa.
Bashkësia ndërkombëtare po ashtu kërkon pezullimin e rregullores, duke konsideruar se një gjë e tillë dëmton komunitetin serb.