Ylli i muzikës Celin Dion ka zgjedhur të flasë hapur për sëmundjen e saj. Së fundmi është publikuar traileri zyrtar i dokumentarit “I Am: Celine Dion”.
Në këtë dokumentar, këngëtarja flet për karrierën e saj në industrinë e muzikës, por gjithashtu edhe për sfidat me të cilat ajo është përballur, si sëmundja e cila e ka bërë të anulojë të gjitha koncertet.
“Zëri im, është dirigjenti i jetës sime. Kur zëri të sjell lumturi, ti bëhesh versioni më i mirë i vetes tënde. Kam nevojë për instrumentin tim.”-thotë Dion. Më pas këngëtarja shfaqet duke njoftuar se është diagnostikuar me një sëmundje të rrallë neurologjike. Në kamera janë kapur disa nga momentet më të vështira të Dion. Ndërsa për betejën e saj me sëmundjen thotë: “Punoj shumë çdo ditë” dhe ndërkaq në trailer shfaqen edhe pamjet e këngëtares duke bërë ushtrime.
Klipi përgatit shikuesit të shohin yllin e madh të muzikës në momente kolapsi psikologjik dhe fizik. “Më mungon shumë bota, më mungon”-rrëfen duke qarë këngëtarja e madhe. “Nëse nuk mund të vrapoj, do të eci dhe nëse nuk mund të eci, do të zvarritem. Nuk do të ndalem”-përfundon ajo.
Në dhjetor të vitit 2022, Celine Dion iu drejtua fansave të saj me lot në sy, duke i njoftuar se sëmundja që ka është e pashërueshme dhe se e ka detyruar që të anulojë turneun evropian. Më konkretisht, bëhej fjalë për Courage World Tour. Këngëtarja u detyrua të anulonte tetë koncerte të planifikuara për verën e vitit 2023. Rikujtojmë gjithashtu se në një video në rrjetet sociale në dhjetor të vitit 2022, ajo njoftoi fansat e saj se po e shtynte turneun botëror për shkak të spazmave që ndikuan në mënyrën e të ecurit dhe të kënduarit.