Makinat e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it amerikan janë sulmuar me shishe xhami në Leposaviç. Policia e Kosovës ka njoftuar se makinat që po patrullonin janë të njësisë për ndërhyrjen e Shpejtë bashkë me KFOR-in amerikan në fshatin Miokovicë.
Më tej në njoftim bëhet me dije se makinat janë sulmuar me shishe xhami. Policia bashkë me KFOR-in kanë identifikuar shtëpinë e të dyshuarit dhe e kanë arrestuar atë, i cili më pas e ka pranuar se e ka bllokuar rrugën fillimisht dhe ka gjuajtur me shishe. Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur një xhaketë e ushtrisë me emblemë serbe. Makina me të cilën ishte bllokuar rruga është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është liruar pas intervistimit.
“Më datë 06.05.2024 rreth orës 04:05 në rrugën e fshatit Miokovicë gjatë patrullimit të përbashkët të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH) të Policisë së Kosovës, së bashku me KFOR-in amerikan, një veturë pa targa e tipit Seat ngjyre hiri ka bllokuar rrugën dhe më pastaj ka hedhur shishe xhami në drejtim të veturave zyrtare.
Policia e Kosovës bashkë me KFOR-in kanë identifikuare shtëpinë dhe kanë kryer kontroll ku është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili ka pranuar se ka bllokuar rrugën dhe ka hedhur shishen. Gjatë realizimit të kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjet një xhaketë e ushtrisë me emblemë serbe. Vetura me të cilën është bllokuar rruga është sekuestruar, i dyshuari pas intervistimit nga njësia kompetente e hetimeve është liruar në procedurë të rregullt, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar,” thuhet në njoftimin e policisë.