Gjykatësi i çështjes penale ndaj ish-presidentit Donald Trump e gjobiti sërish atë me 1000 dollarë për shkelje të urdhrit të gjykatës që e ndalon atë të flasë kundër dëshmitarëve apo punonjësve të gjykatës. Gjithashtu kjo është hera e 10-të që Trump ndëshkohet për shkelje të urdhrit. Ndërsa Gjykatësi Juan Merchan tha se nëntë gjobat prej 1000 dollarësh, për çdo shkelje, që ai ka vendosur deri më tani, nuk duket se po e pengojnë Trump ta shkelë urdhrin.

Ai tha se nëse do të ishte e nevojshme do të vendoste një dënim me burg, gjë që deri tani sikurse tha ishte përpjekur ta shmangte me çdo kusht. Merchan shtoi se shkeljet e vazhdueshme e të qëllimshme nga ana ish-presidentit përbënin një sulm të drejtpërdrejtë ndaj sundimit të ligjit.

“Nuk dua të vendos ndonjë masë me burg dhe kam bërë gjithçka që mundem për të mos e bërë këtë. Por do ta bëj nëse do të jetë e nevojshme”, tha Merchan.

Donald Trump akuzohet për falsifikim të të dhënave të biznesit me synimin për të mbajtur të fshehur një pagesë prej 130,000 dollarësh bërë ish-yllit të filmave pornografikë Stormy Daniels. Kjo e fundit pretendon se ka pasur mardhënie seksuale me Trump, gjë që ish-presidenti e ka hedhur poshtë. Akuza thotë se pagesat bërë Stormy Daniels ishin pjesë e një skeme për të ndikuar zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.