Një telefonatë nga Greqia në drejtim të njërës prej fqinjave të çiftit ka zbuluar ngjarjen tragjike në Dropull ku burrë e grua, Kosta dhe Kleoniqi Ilia, 84 dhe 88 vjeçe u gjetën të pajetë me shenja dhune në trup.

Ka qenë mbesa e Kleoniqit që u bë merak pasi dje në darkë nuk kishte folur ashtu sikurse gjithmonë çka ngjalli dyshime se diçka do të kishte ndodhur. Fqinja pas kësaj telefonate shkoi në banesën e çiftit në orën 6 të mëngjesit ku ka gjetur në fillim të pajetë Kostën të shtrirë në pragun e shtëpisë pranë tryezës me një shenjë goditje në pjesën anësore të kokës.

Më pas në brendësi të dhomës gjeti dhe Kleoniqin të pajetë me shenja dhunë. Më pas u njoftua policia e cila mbërriti në vendngjarje. Teksa ngjarja është e mbuluar me mister, pasi ende nuk dihet nëse është krim në familje apo grabitje, grupi hetimor ka kërkuar mjekun ligjor nga kryeqyteti për të provuar përmes shenjave të ADN nëse bëhet fjalë për ndonjë faktor të huaj në këtë krim, apo është vrasje mes tyre.

Sipas informacioneve të fundit bëhet me dije se kryefamiljari kishte 5 ditë që kishte ardhur nga Athina pasi kishte marrë pensionin, i cili duket se ishte bërë dhe ‘mollë sherri’ mes dy të moshuarve. Mësohet se i moshuari vuante nga probleme të shëndetit mendor. Çifti nuk kishte fëmijë dhe jetonte vetëm me pension nga Greqia. Deri me tani grupi hetimor nuk ka gjetur armen e krimit (armë e ftohtë).