Nga Edison Ypi/

Jeta vetëm me ledhatime, përqafime, puthje, pjerdhje, ahengje, nuk është jetë, është Ferr. Ik diku ku ndodhin vakira serioze, të vërteta, të egra, por të shijshme, madje të bukura. Ik ku ndodhin vrasje. Në Mamurras. Ku 100 vjet më parë disa shqiptarë të pabesë, pasi vranë, vodhën, dhe masakruan dy amerikanë, i bënë synet me brisk të ndryshkur.

Ta vrasi shqiptari-shqiptarin, ndodh çdo ditë, nuk bën asnjë përshtypje.

Ta vrasi, ta vjedhi, ta synetosi, shqiptari amerikanin, është makabër.

Ik në Mamurras kqyre nga afër çfarë ndodhi, ku ndodhi e si ndodhi para 100 vjetëve.

Të mos lodhesh, po të jap me vete dy lehtësira;

Një skicë të vjetër të bërë me laps nga një anonim, ndoshta detektiv në detyrë në kërkim të së vërtetës.

Dhe foto me dy nga vrasësit rrahur dhe vdekur paraprakisht rrethuar nga xhandarë që mundësuan kapjen. Gjerdanët me fishekë në brez ua vunë në Tiranë për të shtuar efektin mbresëlënës të fotografisë tek lexuesat e gazetave në mbarë botën. Truket mediatike nuk u shpikën dje e pardje. Kanë qënë gjithmonë.

Tani nisu. Po e gjete ekzakt vendin ku u masakruan amerikanët, atë vend që deri më sot nuk e di askush, lavdia do të mbulojë përgjithmonë. Se thonë ka ndodhur në Mamurras, por askush nuk e di ku pikërisht.

Mos u habit me aeroplanat që ulen e ngrihen nga Rinasi si pikat e shiut, se është turp. Tani që turistat vinë me miliona, aeroplanat në Rinas si mizat e lisit janë diçka normale.

Në Rinas do vësh re se shqiptarët nuk janë më ata që shquheshin nga larg si anormalë, nuk janë më surratnxirët e uritur që u kacavjerrën trageteve. Sot shqiptarët janë të veshur e të mbathur, të ngrënë e të pirë, të shëndetshëm që ke qef t’i shofësh. Sot shqiptarët janë njerzit më të bukur dhe më të fuqishëm të botës. Anormalët e dërrmuar nga puna rraskapitëse dhe stresi cfilitës sot janë gjermanët, italianët, francezët, amerikanët, spanjollët.

Për pak “atmosferë të kohës kur u krye krimi” kalo nga kaluan amerikaët që u masakruan, nga rruga e Shkodrës.

Duke ikur nëpër rrugën e vjetër do shohësh fragmente mahnitëse nga autostrada e re. Rrënqethje inxhinierike dhe artistike të tillë s’ke parë kurrë. Me këtë rast lere të rrrjedhi një pikë loti se s’bëhet qameti, s’të shterret burrëria. Nuk je dru. Je njeri.

Nga Tapiza në Milot, të vrasin. Këtë e dinë të gjitha derrasat e të gjitha mobilerive andej rrotull. Të vrasin edhe kot. Edhe pa shkak. Edhe për qef. Edhe pa dashje, kur mund të zërë ndonjë plumb qorr.

Kalimtarët anës rrugës janë njëri më interesant se tjetri. Pyeti pa teklif;

A ishin të bereqetshme vrasjet sivjet ?

A u realizuar plani ?

Cilat ishin mjetet e vrasjeve ? Thikat, kalashnikovët, dinamiti, tritoli, helmi në vesh apo acidi në surrat ?

Kush vrau, pse vrau ?

A u ngrit i vrari lugat nga varri ?

Të vrasin e s’të paguajnë, apo të therin e të xhvasin ?

Pasi të vrasin çfarë të bëjnë ? Të lënë si dëng mishi aty ku të vranë, të hedhin anës udhës, të flakin në ndonjë hendek, të djegin në furrë, të fshehin në qilar, ta presin trupin dhe gjymtyrët me sëpatë, pastaj copat t’i fusin në thes, thesin e hedhin në përrua ose e fusin në frigorifer, të varrosin në oborr, ta grijnë mishin për qofte, ta bëjnë tulin biftek ?

Ja Mamurrasi.

Kur kalova para ca viteve kalova këtu Gazeta 55, blihej 1 gazetë sot, tjetra gazetë pasnesër. Kur ja thashë këtë Kadaresë, tha; Në Mamurras lexokan një 5-ë sot një 5-ë pasnesër. Duke më dhënë 55-ën, gazetashitësi më tha, “S’duan gazeta këta. Këta mezi presin tu thuash na kaq pare, ik vrite filanin”.

Mos lër njeri pa pyet për dy amerikanët e vrarë. Askush nuk di gjë. Kurrë nuk kanë ditur. Të tregojnë hollësisht meselera të reja e të vjetra me halabakë që kanë vrarë e prerë njëritjetrin, por s’dinë asgjë për dy amerikanët e briskut të ndryshkur dhe lafshës së synetit mbi çati si e do zakoni.

Ik e pyet nja një kilometër në dalje të Mamurrasit, deri atje ku, sipas hartës së vjetër, ka ndalur makina dhe është kryer vrasja.

Rrugë, përrua, urë, vend ideal për vrasje. Pranë përrenjve dhe burimeve historikisht kanë pritur vrasësit e paguar me ditë e me muaj të vrisnin hasmin e zengjinit.

Për ta përsosur skenën e vdekjes, është dhe një llixhë me erën e squfurit të zjarrit të Ferrit aty afër.

Mos pyet për krime dhe vrasje të rëndomta. Interneti është plot me të tilla në këto nahie, 8 vrasje këtu, 5 thika atje, 7 tritola më tutje etj. etj. Kërkimi në Internet dhe vajtja në vend janë larg si qefi autentik dhe masturbimi. Ke vajtur për dy amerikanët e masakruar dhe vjedhur, jo për këto.

Disa të moshuar nëpër kafenera, dy plaka me të zeza, një vendali me biçikletë, një djalosh me shat në sup, një traktorist, nuk kanë asnjë ide, derisa do bindesh se është e kotë të pyesësh banorët, dhe kërrusesh mbi hartën e vjetër.

Gjurma e rrugës s’ka pësuar asnjë ndryshim. Është saktësisht ajo që tregohet në hartën e vizatuar me dorë. Dy përrenj të vegjël dhe dy ura të vogla, po ashtu. Pak metra pas urës së dytë, atje ku harta e vjetër thotë; “point where automobile stopped” 2 lulukuqe anës rrugës. Aq sa qenë amerikanë e vrarë. U kry. Kaq ishte. Të lumtë. Bëre diçka që historianët sedentarë nuk janë kujtuar ta bëjnë në 100 vjet. A do vendosin apo jo ndonjë pllakë mermeri në kujtim të amerikanëve të cilëve pabesia shqiptare u mori shpirtin dhe paret, këtë e dinë autoritetet lokale. U kanë ngritur shtatore halabakëve. Me siguri do vënë ndonjë pllakë përkujtimore edhe për amerikanët.

U lodhe, më raftë pika.

Tani nisu nga erdhe.

Duke u kthyer bëju kalimtarëve ca pyetje të tjera lidhur me shkaqet pse nga Tapiza në Milot të vrasin për hiç gjë;

Çrregullimet psikike ?

Ndikimi i malit ?

Afërsia e detit ?

Roli i lagështirës ?

Mineralet e nëntokës ?

Pasuria e folklorit ?

Ndikimi i dialektit ?

Rrezet kozmike, fushat gravitacionale, magnetike, elektromagnetike ?

S’ke për të marrë përgjigje. Por do heqësh merakun.

Në kthim, autostrada e re, Rinasi, aeroplanat, vilat e reja, fushat e mbjella, nuk duken. Është errur.