Nga Edison Ypi/
Makinë ke. Qefli i natyrës je. Qytetarët po ta shpifin. Qyteti të ka ardhur te fyti. Katunin dhe katunarët i do e i respekton. Me SPAK-un s’ke asnjë problem. Me vajt te Mali me Gropa, fort mirë të ka vajt menia. Ky udhëtim fillon te “Qafa e Priskës”. Mu aty, pasi i ke hedhur një sy oqeanit mahnitës të maleve në Lindje, dhe je kthyer majtas drejt Qafmollës, ndjen fërgëllimin e parë mrekullues të freskut krahasuar me ajrin metropolitan që sapo e le pas.
Do befasohesh me pamjen madhështore të Dajtit nga mbrapa. E kishe menduar pakashumë të njëjtë me pamjen nga përpara. Është e natyrshme. U ndodh të gjithëve.
Qafmolla është si ato femrat e mbuluara që i fshehin hiret. Nuk merret vesh ku i ka shtëpitë e bukura, kopështet e qëndisura, qershitë e shijshme, mollët e shëndetshme, dardhat e lëngshme, hardhitë dehëse, dhe xhevahiret e tjera. Përgjatë rrugës duken vetëm restorante si kështjella mesjetare, tepër të frekuentuar, të famshëm për mishin e pjekur të kecave dhe dhive të këtyre anëve. Deri në Feken do ndeshësh tek-tuk ndonjë banor lokal anës rrugës në pun’ të vet, ose ndonjë Benz apo Tojotë, disa motoçikleta të fuqishme me turista me skafandra që fluturojnë si të tërbuar mbi shkëmbinj tek vijnë nga vende të largëta, nga Kina, India, Japonia, dhe sulen si rrufeja drejt Tiranës mesdhetare, por edhe turista vendas që ngjiten e zbresin nëpër shkëmbinj me shkopa në duar.
S’do mend që do llafosesh me ca prej këtyre që udhëtojnë përmes mrekullirave tona. Njeriu i flet njeriut. Kafsha nuk i flet njeriut. Por ka një problem. Çfarë thotë njëri, s’e thotë tjetri. I ka çmendur Bukuria. I ka bërë belbanë. Njëri thotë se Kroi i Kuq është katër orë larg. Tjetri bën Be’ jo më tepër se gjysëm ore. Bëj si të duash. E mira është t’i besosh të dyve dhe gjithë të tërbuarve nga bukuria. Dhe mos u ndal. Ik, arratisu, rrëshqit, çmendu, humb, edhe ti si ata. Pas Fekenit s’ka asfalt. Por s’ka as problem. Rruga ka taban të fortë shkëmbor. Asnjë rrezik për rrëshqitje. Humnerat e thella që të marrin mentë, janë të frikshme dhe të rrezikshme. Por zgjidhje ka. Nëse prej tyre ke frikë, me humnerat mos u krruj, fundin e tyre mos e shih.
Malet e panumurt, luginat ku natën dalin e këndojnë e vallzojnë xhindet, pyjet mahnitës, liqeret e kaltër, përrenjtë e shpejtë, shkëmbinjtë e fortë, mos u lodh t’ja rrëfesh ose t’ja shkruash ndonjë miku apo, aq më keq, të dashure kur të kthehesh. Është e pamundur. Ti s’do dish çfarë t’i thuash, ajo s’do ketë çfarë të kuptojë, aq më pak të ndjejë. Ato bukurira ndodhen përtej Fjalës, përtej Prozës. Me ato merren të tjerë, poetët, muzikantët, piktorët. Gjatë këtij udhëtimi ti bëj atë që të përket: ruaj zemrën nga ndonjë infarkt. Harroje orën, rrugën, rreziqet. Veç ik, dhe duke ik shih, nuhat, dëgjo, prek, përqark. Duke ikur përmes një dushknaje plot me kthesa do të duket sikur ke rënë në një pus të thellë prejnga s’ke për të dalë dot kurrë.
Kur je fut në një pyll pishash do të duket, një herë sikur ke ngatrru rrugën dhe je tu shku drejt Burrelit, tjetrën herë sikur po del te liqenet e Mollagjeshit pranë Labinot Malit.
Mos u merr me këto fantazira se do çmendesh. Thjesht vazhdo.
Ja Mali me Gropa dy mijë metra mbi nivelin e detit.
Qindra, mijra, qindramijra, gropa. Nga disa metra te disa dhjetra metra diametri. Miliona vjet të vjetra. Por edhe fundosje të freskëta të para disa ditëve. Lashtësia milenare kaq pranë me të tashmen.
Urgjent muzikantët.
Urgjent piktorët.
Urgjent Poetët.
Ta dëshmojnë këtë Parajsë ata që dinë, ata që e dashurojnë, ata që e ndjejnë. Jo shejtanbudallenjtë vetshpallur Poeta nëpër promuovime plot gromësima vetëm sepse kanë qënë në burg, por Poetët e vërtetë.
Diku të del para një pamje e paspjegueshme. Disa të huaj të rinj, pasi kanë lënë dy Toyota dhe një Benz me targa të panjohura anës udhës, të vetmet makina që do shohësh nga Fekeni te Kroi Kuq, i janë qepur një pllaje mali ku po mbledhin një lule të bardhë me kërcell të hollë dhe të fortë deri në tokë. Mir bëjnë çunat dhe gocat ardhur nga fundi i botës në mes të kurrkundit për një aromë të rrallë. Si quhet ajo lule që rritet në nja një kilometër dhe askund tjetër përgjatë këtij udhëtimi ? Këtë zor se do e mësosh ndonjëherë.
Ec e ec mes mahnitjeve, kur befas të del para një livadh i madh, i blertë, në formë tasi, rrethuar me pyje. Në mes të livadhit një Lapidar. Në Lapidar, pllaka e mermerit mungon pllakën e kanë shkulur. S’ke si ta dish apo mësosh, cila luftë u bë, nga kush, kundër kujt, pse, sa u vranë, sa u plagosën, sa u zunë robër, sa u gënjyen, sa u mburrën nga ajo luftë për nderin dhe lavdinë e cilëve shejtanbudallenjtë ngritën lapidarin ? Lapidari i shurdhët nuk ka përgjigje për këto pyetje.