Ushtria Izraelite ka nisur ofensivën kundër Rafahut, duke i dhënë goditje shpresave për armëpushim, pak pasi Hamas njoftoi se kishte pranuar propozimin e Egjiptit dhe Katarit për fundin e luftës.
Siç bëhet e ditur trupat e Tel Avivit kanë marrë nën kontroll vendkalimin midis Gazës dhe Egjiptit, i cili shërben edhe si një pikë e rëndësishme për hyrjen e ndihmave humanitare në enklavë dhe si një vendstrehim për militantët e Hamasit.
“Ne kemi një kontroll operacional të zonës dhe vendkalimit. Operacionet ushtarake në vendkalim janë duke vijuar. Ne kemi forca speciale që skanojnë vendkalimin; kjo është ajo që po ndodh”, deklaroi ushtria izraelite. Sipas të dhënave të ushtrisë së Tel-Avivit, rreth 20 terroristë janë vrarë dhe tri tunele janë bllokuar gjatë asaj që e ka cilësuar si ofensivë të kufizuar në qytetin ku strehohen rreth 1.4 milionë banorë. Mbrojtja Civile Palestineze ka bërë të ditur se ekipet e saj kanë nxjerrë trupat e 15 viktimave civile nga disa shtëpi të goditura nga avionët izraelitë në Rafah.
“Të shtëna bombardime me aeroplanë, raketa, tanke, mitralozë, të gjithë bombardime. Asnjëherë në jetën time nuk kam parë gjëra të tilla. Unë jam pothuajse 69 vjeç, nuk kam parë në jetën time bombardime si këto”, thotë një banor i Rafah.
Izraeli është zotuar të ushtrojë presion ushtarak mbi Hamasin në Rafah, pasi kryeministri Netanjahu tha se marrëveshja e armëpushimit e pranuar nga Hamas ishte shumë larg përmbushjes së kërkesave të tyre. Megjithatë, ai pohoi se negociatat në Kajro do të vazhdojnë. Nuk është e qartë se për çfarë konkretisht ka rënë dakord Hamasi, por thuhet se ujdia përfshin lirimin e pengjeve në këmbim të të burgosurve palestinezë. Sipas raportimeve, grupi që drejton Gazën ka pranuar një fund të përhershëm të luftimeve.