Italia po e thërret prej kohësh, por e ardhmja e Antonio Conte nuk është e thënë të jetë në Serie A, në një kohë kur tekniku “azzurr” vijon të jetë në modë edhe në Premier League. Në mënyrë surprizë, sipas La Repubblica, emri i Contes ka dalë edhe një herë në Londër, pasi bossi i bluve Todd Boehly e sheh si njeriun e duhur për të rikthyer në shina Chelsea-n. Ndryshe nga çdo skuadër tjetër në Serie A, Chelsea është gati ta “vesh me ar” teknikun italian, janë të gatshëm t’i plotësojnë çdo kërkesë ekonomike.
Këtë periudhë, që pas largimit të tij nga Tottenham, emri i Conte është lidhur në mënyrë konstante me një kalim në Serie A, pasi edhe vetë dëshira e trajnerit kjo ka qenë, të rikthehet në shtëpi. Napoli është ekipi që po insiston më shumë për Conten, por ish trajneri i Inter dhe Juve nuk i ka kthyer ende një përgjigje të prerë presidentit De Laurentiis. Napoli është e vetmja skuadër për momentin që mund t’i ofrojë Contes një kontratë të mirë financiare, sigurisht jo në kuotat që ai pretendon, 8 milionë euro në sezon.
Conte për momentin mbetet në pritje, pasi janë të shumta klubet që kërkojnë një trajner të ri. Në këtë pikë Conte ndodhet mes shtëpisë, dëshirës për t’u rikthyer në Serie A, dhe milionave që i ofrojnë klube si Chelsea. Londinezët me sa duket e kanë bërë lëvizjen e parë, në pritje për të kuptuar se çfarë dëshiron Conte.