Ylljet Aliçka, romancier, diplomat dhe skenarist, ka rrëfyer në emisionin “Interview” në Euronews Albania, detaje nga jeta e tij si mësues para se të vendosej në Tiranë, ku edhe iu fut studimeve.

Aliçka shprehet se jetesën në fshat, ku ka punuar si mësues, e ka përjetuar keq, sepse nisi të pinte alkool dhe të luante bixhoz.

Ai tha se në atë kohë po shihte dy mundësi, ose të martohej në fshat dhe të vijonte atë jetë përgjithmonë, ose të vijonte me studimet, që do t’i mundësonin zhvendosjen në Tiranë.

“E përjetova keq fillimisht dhe vitet e para kalova në alkool, se ishin intelektualët e fshatit, agronomi, mjeku, mësuesi. Ishte në modë alkooli, pinim raki ose shkonim mik te fshatarët. Ajo ishte lumturia më e madhe. Pastaj kaluam në bixhoz, fillova të lë rrogën. Unë nuk kam fat në boxhoz. 3-4 vite i kam kaluar kështu. Luanim futboll.

Pastaj ishin dy alternativa, ose do rrije do përshtateshe me atë jetë, sepse ishte në modë ather që të detyronin, ishte edhe si politikë, që të martoheshe me një vajzë fshatare dhe të rrije në fshat përgjithmonë. I ndodhi shumë vetave, shumë shokëve të mi nga Tirana. Ose thashë pastaj që duhet të bëjë diçka akademike ose diçka sipër që të mundohem të çaj në Tiranë.

Pas 4 vitesh iu futa këtyre studimeve për doktoraturë, shkencash, për këto gjëra. Dhe ai ka qenë universitet më vete, kam lexuar shumë në atë periudhë. Më ka ndihmuar mjaft ajo periudhë, u bëra kandidat shkencash, autor tekstesh shkollore, gjë që më krijuan mundësinë pastaj për të ardhur në Tiranë”, tha Aliçka.