Massimiliano Allegri është thirrur me urgjencë në selinë e Juventusit për të sqaruar më shumë rreth reagimit të tij në minutat e fundit të finales së Kupës së Italisë. Tekniku livornez që zhvilloi rregullisht seancën e sotme stërvitore, është në mbledhje me drejtuesit ku prezent është edhe drejtori sportiv, Giuntoli.
Pas finales së Kupës, Allegri pati një konflikt në distancë edhe me Giuntolin ndërsa nuk ngurroi të kërcënonte drejtorin e “Tuttosport” për qëndrime të pavërteta në median torineze, edhe pse më pas tekniku i bardhezinjve kërkoi falje.. Mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të merret në lidhje me të ardhmen e Allegrit. Nuk përjashtohet mundësia që trajneri të shkarkohet me efekt të menjëhershëm me klubin që mund të nisë edhe proces kundër tij pikërisht për reagimin e tepruar në finalen e Kupës.
Në rast se zbatohet skenari i shkarkimit të menjëhershëm, atëherë Juventus pritet që në dy ndeshjet e fundit të drejtohet nga zëvendësi i Allegrit, Landucci ndërsa një alternativë është edhe ish-futbollisti, Paulo Montero.