Një shqiptare është qëlluar me thikë jashtë një shkolle fillore në Britani.
Sipas Mail Online, gruaja, që mendohet se është shqiptare, e cila jetonte aty pranë, u godit me thikë disa herë menjëherë pasi kishte lënë fëmijët e saj në shkollë.
Ajo u dëgjua duke bërtitur: ‘Më ndihmoi, më ndihmoi… po humbas gjak’.
Policia e Bedfordshire konfirmoi se ajo u dërgua në spital ku ka marrë lëndime të rënda pas sulmit pranë një shkolle në Dunstable Road, Luton, pak pas orës 8:30 të mëngjesit të sotëm. Një burrë u arrestua pak më pas, ndërsa identiteti i tij nuk është bërë ende publik.
Banorët e zonës thanë se viktima kishte pasur probleme me një burrë, ndoshta ish-bashkëshorti, i cili ishte paraqitur në adresën e saj dhe ishte bërë i dhunshëm.
Një nënë tjetër tha: ‘E pashë gruan të shtrirë në trotuar. Ajo po qante dhe bërtiste “më ndihmo, më ndihmo”.
“Ajo gjithashtu bërtiste “Po më humb gjaku”.
“Unë njoh njerëz afër vendit ku ajo jeton dhe mesa duket është me origjinë nga Shqipëria. Ajo jeton me fëmijët e saj që shkojnë në shkollën lokale. Ajo u sulmua menjëherë pasi i kishte lënë”, tha një grua në zonë.
Një zëdhënës i policisë tha: Policia e Bedfordshire po heton plagosjen me thikë të një gruaje pranë një shkolle në Dunstable Road, Luton pak pas orës 8:30 të mëngjesit të sotëm.
“Viktima është dërguar në spital me lëndime të rënda. Një person është arrestuar dhe aktualisht ndodhet në paraburgim nga policia. Të gjithë fëmijët janë të sigurt brenda shkollës dhe nuk ka asnjë kërcënim më të gjerë për publikun. Policia do të mbajë një prani të fortë në zonë për siguri”, sipas policisë.