NATO-ja nisi në fillim të këtij muaji në Suedi stërvitjen ushtarake “Reagimi i Shpejtë” ku po marrin pjesë rreth 800 parashutistë nga Shtetet e Bashkuara, Spanja, Hungaria dhe Italia. Siç njofton nga Suedia korrespondentja e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze, ushtritë e vendeve të aleancës po stërviten së bashku për të penguar çdo agresion të mundshëm. Këto janë stërvitjet e para ushtarake në tokën suedeze që kur ky vend u anëtarësua në NATO në muajin mars.
“Swift Response” është pjesë e stërvitjes më të madhe të NATO-s në Evropë të quajtur “Steadfast Defender 2024”, ku po marrin pjesë më shumë se 17,000 trupa amerikane dhe 23,000 trupa shumëkombëshe nga mbi 20 vende aleate dhe partnere.
Trajnimi synon të rrisë aftësinë parandaluese të NATO-s, thotë për Zërin e Amerikës shefi i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara, Gjenerali James Kriesel, i cili drejton stërvitjen. Ai vë në dukje forcimin e NATO-s me anëtarësimin e Suedisë si vendi i 32 i aleancës.
“NATO-ja po frenon çdo kërcënimi kronik që paraqitet dhe, siç ka treguar gjenerali Cavoli, stërvitjet si kjo në vendet nordike ndihmojnë për të mundësuar forcën të NATO-s dhe këtë parandalim.”
Gjenerali Christopher Cavoli, është kreu i Komandës Evropiane të SHBA dhe Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë që nga korriku i vitit 2022.
Zyrtarët ushtarakë thonë se agresioni rus në Ukrainë ka ndryshuar në mënyrë dramatike mjedisin e sigurisë në Evropë.
“Aktualisht bota përballet me dy kërcënime, Kina dhe Rusia. Shihet qartë agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës. NATO-ja është plotësisht e përgatitur për të bërë çdo frenim, dhe nëse është e nevojshme për të përforcuar partnerët tanë në Evropë përballë çdo agresioni rus”, thotë Gjeneral Robert McBride, Zëvendës Komandant i Përgjithshëm i Operacioneve, Divizioni i 11-të Ajror.
Kërcënimet e reja nxitën Finlandën dhe Suedinë që t’i bashkoheshin aleancës dhe bënë që vendet anëtare të rrisin shpenzimet e mbrojtjes. Suedia sjell në NATO një ushtri të pajisur mirë. Ajo ka forcën më të madhe ajrore në rajon. Zyrtarët ushtarakë thonë se marina suedeze, më e madhja në Baltik, është e pajisur me nëndetëse moderne të ndërtuara për ujëra të cekëta. Zëri i Amerikës bisedoi me Komandantin e Forcave Ajrore Suedeze, Anders Jonsson.
“Jemi një vend i vogël dhe sigurisht kemi një ushtri të vogël, por njësitë dhe kapacitetet tona janë të forta dhe kjo do të jetë një kontribut për NATO-n. Së bashku me vendet e tjera ne do të jemi të fortë”.
Anëtarësimi i Suedisë i ofron aleancës perëndimore qasje në Gadishullin e Kola-s, me një rëndësi strategjike dhe vendimtare kundër pranisë ushtarake ruse, si dhe përforcon gatishmërinë për të trajtuar sfidat e sigurisë në veri. Pjesëmarrja në stërvitje e personelit ushtarak nga Shtetet e Bashkuara, Spanja, Hungaria dhe Italia vë në pah rëndësinë e këtij trajnimi.
“Është shumë e rëndësishme, jo vetëm për brigadën, por për të gjithë NATO-n, sepse ne mund të rrisim ndërveprimin midis kompanive ajrore. Rritja e standardeve dhe aftësive mund të sjellë një ndërveprim më të mirë”, thotë ushtari italian, Giuseppe Folgore.
Zëri i Amerikës bisedoi me parashutistin Leon Westenkirchner, me brigadën 173 ajrore amerikane.
“Trajnimi është padyshim shumë i nevojshëm dhe nxjerrim shumë mësime, duke filluar nga niveli individual”.
E planifikuar për të vazhduar deri më 31 maj, stërvitja “Swift Response” është pjesë e manovrave madhore ushtarake të NATO-s “Steadfast Defender 2024” në disa vende evropiane. Trajnime të tjera në këtë kuadër do të zhvillohen edhe në Gjermani dhe Rumani, ku do të dalë në pah një nga operacionet më të mëdha ajrore që nga Lufta e Dytë Botërore.