Jeta e një shpuesi pusesh nafte. Si punohej në industrinë e naftës përpara viteve ’90. Të gërmosh metër për metër tokën drejt thellësive të panjohura për të arritur objektivat e ngarkuara, për të nxjerrë nga thellësitë e nëntokës, atë që fshihej në shekuj, naftën, gazin kondensat apo gazin e pastër. Rrëfimi i Vlashi Filit, inxhinieri 80-vjeçar që jeton në Filadelfia

Nga Entela Resuli

Në vendin tonë ka shumë njerëz të cilët para viteve ’90 kanë ushtruar një profesion që e kanë dashur shumë. Kanë punuar dhe kanë dhënë për të vitet më të bukura të jetës, rininë. Të kesh punuar për 30 apo 40 vite në një sektor të caktuar, në një vend si Shqipëria, e izoluar, me kërkesa dhe ambicie për t’u bërë superfuqi, duhet të kesh qenë shumë i duruar dhe pasionant në atë që bën.

Ka nga ata që kanë zbuluar për herë të parë vendburime nafte në vendin tonë dhe zemra e tyre ka gufuar së bashku me shpërthimin e arit të zi. Një prej tyre, është edhe Vlashi Fili. Inxhinieri i njohur, që 30 vite të jetës ia kushtoi nëntokës shqiptare sot jeton në Filadelfia, SHBA. Ka mall për vendlindjen, aq më tepër që ka prekur çdo cep të Shqipërisë. I njeh mirë damarët ku qarkullon naftë në 28 mijë kilometrat katrorë të vendit tonë.

Kurioziteti për këtë lëng të çmuar, por edhe për të mësuar më shumë rreth jetës së një profesionisti gjatë sistemit, përpara viteve ’90 na çoi te Fili në Filadelfia, ku është vendosur së bashku me familjen e tij qysh nga viti 2000. Në këtë intervistë, inxhinieri kujton fillimet e tij dhe na rrëfen disa detaje interesante për naftën që gjendet në nëntokën tonë

-Z. Fili, cilat janë fillesat e tuaja në naftë dhe pse iu futët kësaj pune?

Fillesat e mia në naftë kanë qenë direkt nga viti 1956 kur unë nisa studimet në shkollën e mesme të naftës që ishte hapur para disa vitesh në qytetin tim të lindjes, por edhe indirekt. Unë jam lindur dhe rritur në qytetin naftëtar të Kuçovës dhe me sa duket edhe këtu duhen gjetur fillesat e mia si naftëtar i mëvonshëm apo saktësisht si specialist i shpimit të puseve të naftës e gazit.

– Përse iu fute kësaj pune?

Që të jem i sinqertë duhet të them se fillimisht isha i detyruar dhe ishte detyrimi i parë në jetën time. Mua më pëlqente të shkruaja. Gazeta e murit e klasës time në 7-vjeçare, pasurohej shpesh me shkrimet e mia. Për kuriozitet mund të them se shkrimi i parë në këtë gazetë ishte për një top futbolli që unë bleva, jo pa probleme financiare të familjes time. Ishte një shkrim pak më shumë se gjysmë faqe, pra jo i gjatë, por që tërhoqi vëmendjen e mësuesit tim kujdestar, shokëve dhe shoqeve të klasës time, por edhe të klasave të tjera që vinin e lexonin me kërshëri. Pra dëshira ime fillestare ishte që të merrja këtë rrugë. Me mbarimin e klasës së shtatë, më doli e drejta e bursës për në Teknikumin e Naftës, por atje nuk kisha dëshirë të shkoja. Kështu që ndenja një vit pa shkollë. Kur edhe vitin tjetër drejtuesit e qytetit këmbëngulën që unë duhet të vazhdoja Teknikumin e Naftës, “u dorëzova” dhe fillova atë shkollë. Kjo nuk do të thotë se në vazhdim unë nuk e desha specialitetin që mora. Atë e “dashurova”, i fala jetën time, punën, mundin, djersën, dijet e mia që mora më vonë dhe gjithçka kisha.

-Ishte shkolla një vend ku merrje njohuri mjaftueshëm për atë çka të priste më vonë, apo praktika ishte tjetër shkollë…?!

Njohuritë, e para të këtij specialiteti i mora në Teknikumin e Naftës e më vonë në Degën e Naftës të Fakultetit Gjeologji–Miniera në Universitetin e Tiranës, nga pedagogë shumë të përgatitur në shkollat jashtë Shqipërisë si në Francë, ish Bashkimin Sovjetik, Rumani apo Çekosllovaki. Këtu dua të theksoj se tjetër është shkolla dhe tjetër është praktika. Kjo e dyta është një shkollë e madhe, ku çdo specialist mund të mësojë shumë më tepër. Shkolla të mëson kriteret bazë, si duhet të veprosh në jetë, si t’i kapësh problemet e specialitetit më shpejt e t’u japësh rrugë atyre në mënyrë shkencore, por hollësitë t’i mëson praktika, vështirësitë dhe problemet që takon atje. Sado që shkolla të mëson se si duhet t’i zgjidhësh problemet që takohen në jetë, është e pamundur që të japë hollësi të plota për praktikën e jetës të specialitetit që ti zgjedh. Kështu më ndodhi edhe mua. Në shkollë mësova gjithçka që më dha ajo, por kur dola në jetë, praktika më mësoi shumë të tjera të cilat plotësuan kuadrin tim si specialist në fushën e shpimeve të puseve të naftës dhe gazit. Unë u përpoqa që ato që kisha mësuar në shkollë t’ia transmetoja edhe brigadave ku punova, por ndërkohë mora prej tyre ato që më mungonin e nuk i kisha bërë në shkollë. Këtu mund të përmend, pa u zgjatur, vetëm një shembull. Punova për disa vjet me të ndjerin Idriz Bregu, që ishte përgjegjës i brigadës ku bëra pjesë edhe unë. Ai respektonte shumë mendimin tim si specialist, por ndërkohë unë mësova më shumë nga ai se sa unë i dhashë atij.

-Përse shteti komunist i asaj kohe e pati parësor zhvillimin e industrisë së naftës?

– Në fillim dua të theksoj diçka. Nafta është aq e fuqishme sa që mund të rrëzojë apo të ngrejë qeveri, mund të ngrejë ekonominë e një vendi nga të dobët ta bëjë të fuqishme. Shikoni vendet arabe çfarë bumi po bëjnë në ekonominë e tyre dhe kjo falë naftës që ata kanë. Është kjo arsyeja, që edhe qeveria komuniste e asaj kohe që lamë, i dha përparësi zhvillimit të industrisë së naftës. Prodhimi i naftës nga viti në vit erdhi duke u rritur dhe paralel rritjes së këtij prodhimi, kuptohet edhe degët e tjera të kësaj industrie. Me prodhimin e naftës prej 2,4 milion tonë në vitin 1974, vendi ynë arriti të jetë i treti në Europë, mbas Bashkimit Sovjetik dhe Rumanisë që eksportonte naftën e prodhuar. Sigurisht me këtë zhvillim të industrisë së naftës, ndodhën edhe poshtërsitë e kohës, pikërisht nga kjo qeveri. Arrestoheshin, torturoheshin për të pranuar ato që nuk i kishin bërë, u bëheshin gjyqe gjoja shembullore, dënoheshin dhe deri ekzekutoheshin specialistë shumë të mirë, me akuza që nuk qëndronin, të cilat jo vetëm që merrnin në qafë specialistët e naftës që kishin zbuluar vendburime të tëra, por fusnin një frikë prej “gogoli” tek të gjithë të tjerët që vazhdonin punën në këtë industri. Përse? Sepse koka udhëheqëse kërkonte gjilpërën në kashtë.

-Ju keni eksperiencë në të gjithë vendin, cila është zona që ka më shumë naftë?

– Natyra e punës në shpimin e puseve të naftës e gazit më ka bërë që të fitoj përvojë. Sa më shumë u përballa me vështirësitë e shpimit të puseve të ndryshëm, aq më shumë lodhje dhe shqetësime më sollën ato, por aq më shumë përvojë fitova në jetë. Së bashku me brigadat e shpimit shpuam puse nga veriu në skajin më jugor të Shqipërisë në kushte shumë të ndryshme nga njëra zonë në tjetrën, nga depozitimet terigjene në ato karbonatike, nga thellësitë e vogla në ato më të mëdha, sa në zona kërkimi që jashtë dëshirës tonë nuk rezultonin me shtresa naftëmbajtëse aq edhe në raste të tjera me shumë naftë. Të gjitha këto na kanë pasuruar me përvojë deri atje sa një specialist shpimi, duke ndjekur shpimin e pusit metër pas metri, mund të krijojë mendimin se ka apo jo naftë aty ku shpohet. Në periudha të ndryshme kohe, zonat më me shumë naftë, ndryshojnë vendet në renditje. Kështu mbas përfundimit të luftës, zona me më shumë naftë ishte ajo e Kuçovës. Deri para vitit 1918 fshati Kuçovë as që njihej fare në ekonominë e vendit. Me zbulimin e naftës Kuçova u vendos në të gjitha hartat e për më tepër edhe në hartat ushtarake. Më pas Kuçova si thashë, ishte zona që prodhonte më shumë naftë dhe mbajti për disa vjet, peshën kryesore në ekonominë shqiptare. Në vitin 1957 u zbulua vendburimi i Marinzës ku edhe ishte zona që prodhoi më shumë naftë. Më vonë u zbuluan, me radhë vendburimet e naftës në shtresat karbonatike si në Visokë, Ballsh, Gorrisht, Kocul etj. të cilat shtuan së tepërmi sasinë e prodhimit të naftës që si thashë më lart arriti në 2,4 milion tonë në vitin 1974. Vitet e fundit është zbuluar naftë në Mbreshtan të Beratit që me sa kam dëgjuar, parashikimet janë për një zonë të fuqishme nafte.

– Duke parë atë që është bërë shekullin e fundit, a ka nëntoka shqiptare më naftë?

– Ndër atë pjesë të popullit tonë që nuk e njeh naftën ka qarkulluar një thashethemnajë, se është një lum nafte nga Rumania deri në Itali dhe që kalon mes për mes Shqipërisë. Kjo është një padije profesionale tek ata që nuk kanë njohuri për kushtet e formimit dhe të grumbullimit të naftës. Por po të mendohet se përse është folur ky thashethem mund të përfundosh në mendimin se ai e ka patur një burim nga ka lindur. Me këtë ajo pjesë e popullit që e ka përdorur, kanë shprehur atë që në Shqipëri ka shumë naftë aq sa ata e quajnë “lum nafte”. Vendi ynë ka naftë shumë jo vetëm në ato zona të pazbuluara që parashikohen naftëmbajtëse, por edhe në zonat që tashmë janë të zbuluara. Le të marrim p.sh. zonën më të vjetër atë të Kuçovës. Së shpejti në Kuçovë do të festohet 100-vjetori i zbulimit të këtij vendburimi. Pra ka 100 vjet që nga ky vendburim nxirret naftë. Megjithatë, deri më sot nuk është arritur të nxirret as gjysma e rezervave teknike të shfrytëzueshme e aq më pak akoma nga sasia e rezervave gjeologjike të llogaritura në të. Pra edhe në këtë vendburim 100 vjeçar të shfrytëzuar ka ende sasira të mëdha nafte. Më pas harta e vendburimeve të Shqipërisë u zgjerua shumë deri në Jug të vendit, në Krane, Finiq, Delvinë, etj. Po ashtu vendburimet e gazit të zbuluara në zonën pranadriatike u bënë pjesë e të gjithë vendburimeve naftëgazmbajtëse të vendit tonë. Studimet gjeologjike kanë treguar se edhe në zona të tjera, deri edhe në detet Adriatik e Jon, Shqipëria është një hambar nafte e gazi. Tani shtroj një pyetje. Përse Greqia pretendon, pa të drejtë, të marrë zonën detare në detin Jon, që ia dha Sali Berisha dhe Lulzim Basha kur ishin në qeveri? Mos ndoshta ka pak det Greqia që faktikisht është e rrethuar nga dete në tre të katërtat e kufirit të saj? Jo, ajo nuk ka hall për sipërfaqe detare se ka me bollëk, por ajo zonë parashikohet mjaft naftëmbajtëse. Përfundimisht, duke iu përgjigjur shkurt pyetjes suaj, nëntoka shqiptare jo vetëm që është me naftë por me shumë naftë. (Voxnews.al)