Për të kundërshtuar kryetarët shqiptarë, një vit më parë, serbët e katër komunave veriore u mblodhën përreth objekteve komunale në shenjë protestë. Situata përshkallëzoi pasditen e 29 majit në Zveçan, ku me armë zjarri, koktej molotovi, shok bomba e mjete të tjera të forta, serbët e maskuar sulmuan njësitet e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, që kishin ngritur kordonin e sigurisë përgjatë perimetrit të ndërtesës komunale. Dhuna e asaj dite ishte shkaktari i lëndimit të 93 ushtarëve të KFOR-it, të cilët për rreth një orë u ballafaquan me sulmet e personave të maskuar. Kur kanë kaluar një vit, KFOR-it ka nderuar ushtarët që shërbyen e u lënduan në këto “protesta të dhunshme dhe të papranueshme”.
Cak i sulmeve të serbëve ishin edhe Policia e Kosovës edhe mediat. Situata ishte nën tension që nga 26 maji i 2023-shit, kur fillimisht në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok pati përplasje të protestuesve me Policinë e Kosovës, për shkak se kryetarët shqiptarë shkuan në vendin e tyre të punës. Protestat e dhunshme të 29 majit, u dënuan nga komuniteti ndërkombëtarë, por që presioni politik u rrit ndaj Kosovës, pasi konsiderohej se ekzekutivi një anshëm dërgoi në komuna kryetarët që nuk kishin legjitimitet. Që nga ajo periudhë, Kosova vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese nga bashkësia ndërkombëtare.
“Kosova është në një pozitë më të mirë të sigurisë, por, jo politike. Nga aspekti politik mendoj që kemi pasur lëshime jo të vogla, por që na kanë kushtuar në mbrojtjen e asaj që të mos kemi masa apo sanksione, pikërisht pas trazirave”, tha Dritëro Arifi – njohës i marrëdhënieve politike. Të gjitha këto, forcuan edhe më tej bindjen e ndërkombëtarëve që veriu i Kosovës është bombë e kurdisur për destabilizimin edhe të rajonit. Andaj si zgjidhje sipas ndërkombëtarëve është themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që Kosova vazhdon të mos e zbatojë e po i kushton me përparim në anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Pas ngjarjeve është kërkuar pak më shumë nga Kosova që të bëjë në këtë drejtim, sepse kanë menduar se nëse pala kosovare lëvizë me asociacionin atëherë perëndimi mund ta ketë më lehtë që Serbinë ta vendosin në një kënd”, u shpreh Arifi. Një vit pas, kryetarët e komunave veriore vazhdojnë të ushtrojnë detyrën e tyre, tashmë jo nga objektet alternative, por në ato zyrtare. Nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje thotë se pas dështimit të grupeve kriminale për të penguar kryetarin e Zveçanit, atje sot valon flamuri i Kosovës e është shtrirë ligjshmëria. Si rrjedhojë e tensioneve, KFOR-i shtoi për rreth 1000 numrin e ushtarëve. Krahas kësaj, edhe Policia e Kosovës ka rritur prezencën e saj në veri të vendit.
Për sulmet ndaj KFOR-it, EULEX-it, Policisë së Kosovës dhe mediave në atë periudhë, janë arrestuar dhjetëra serbë, megjithatë, janë ngritur aktakuza për veprime kundër rendit kushtetues dhe terrorizëm për katër persona.