Shpifje të radhës e ka cilësuar Sali Berisha deklaratën e Edi Ramës në Podcastin me Frederik Ndocin, kur la të nënkuptohej se Berisha nuk donte të lironte të burgosurit politikë. Në një reagim në rrjetet sociale Berisha tha se PD në të gjitha protestat e saj në mbarë vendin doli me sloganin “Lironi vëllezërit tanë”.
Ai i bëri thirrje Ramës që të dënojë “firmat prej xhelati të babait të tij biologjik, piktorit kriminel Kristaq Rama, për varjen publike të poetit disident Havzi Nela dhe ekzekutimin e qytetarëve të thjeshtë të pafajshëm si kundërshtarë të diktaturës hoxhiste”.
Reagimi i plotë i Berishës!
Reagim ndaj një shpifësi të shpërfytyruar!
Sot Edi Rama nxori në treg shpifjen e radhës. Sipas tij Sali Berisha nuk donte lirimin e të burgosurve politikë. Një shpifje të tillë banale nuk e ka nxjerrë nga goja njeri tjetër kurrë, përveç shpifësit të shpërfytyruar Edi Rama. Në dhjetor të vitit 1990 në burgjet dhe kampet e Shqipërisë kishte mijëra e mijëra të burgosur dhe të internuar politikë.
Partia Demokratike në të gjitha protestat e saj në mbarë vendin doli me sloganin “Lironi vëllezërit tanë” dhe denoncoi në arenën ndërkombëtare mashtrimin e etërve të Edi Ramës se Shqipëria kishte vetëm 100 të burgosur politikë. Me protestat dhe denoncimet e saj arriti t’i imponojë regjimit lirimin e të burgosurve politik të cilët nga burgjet dhe kampet u anëtarësuan në radhët e PD-së dhe u zgjodhën në të gjitha strukturat drejtuese të saja.
Shpifjet dhe trillimet e Edi Ramës dëshmojnë thjesht pafytyrësi. Por pavarësisht nga kjo i kërkoj atij nëse i ka mbetur ndonjë grimcë njerëzore në amoralitetin e tij, të dënojë firmat prej xhelati të babait të tij biologjik, piktorit kriminel Kristaq Rama, për varjen publike të poetit disident Havzi Nela dhe ekzekutimin e qytetarëve të thjeshtë të pafajshëm si kundërshtarë të diktaturës hoxhiste.