Bashkimi Evropian e ka kritikuar të martën një aksion policor të autoriteteve kosovare në veri të Kosovës ndaj zyrave financiare, duke e cilësuar atë si përshkallëzues dhe të njëanshëm. “Operacionet e së hënës dëshmojnë edhe një herë se autoritetet e Kosovës u japin prioritet veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara më shumë sesa bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët në terren”, tha në një komunikatë për media zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Gjatë aksionit të së hënës, autoritetet në Kosovë i mbyllën gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Gjatë aksionit, që autoritetet e Kosovës thanë se kishte të bënte me vendosjen “e rendit dhe ligjshmërisë”, u konfiskuan prova të ndryshme, përfshirë para. Sikurse Shtetet e Bashkuara më herët, edhe Bashkimi Evropian e quajti vendimin e autoriteteve kosovare veprim të pakoordinuar dhe përshkallëzues.

“Mbyllja dhe konfiskimi i këtyre zyrave pa një paralajmërim paraprak, apo pa koordinim, vetëm disa ditë pas takimit të fundit të dialogut, i cili po ashtu merrej me çështjen e këtyre objekteve të bankës Postare Kursimore, është një përshkallëzim dhe shkon kundër frymës së normalizimit dhe dëmton vullnetin e mirë të Kosovës në arritjen e normalizimit të raporteve përmes dialogut”, thuhet në komunikatë.

Kosova dhe Serbia janë takuar shtatë herë muajt e fundit në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për ta gjetur një zgjidhje për dërgimin e ndihmës financiare nga Serbia për serbët e Kosovës, por nuk kanë gjetur pajtim deri tani. Pas takimit më të fundit javën e kaluar, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se takimi dështoi pasi pala serbe erdhi me propozime të reja për çështjen, e jo me përgjigje. Ndërsa kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, tha se pala kosovare i “refuzoi të gjitha propozimet”.

BE-ja tha më 15 maj pas takimit se, edhe pse e kishte bërë një propozim kompromisi që i “përshtatej” qëndrimeve të palëve “në shkallë maksimale të mundshme”, palët nuk u pajtuan për disa çështje kyçe, përfshirë as për shtrirjen e përgjithshme të aktiviteteve të entitetit të ri, fushëveprimin e përfituesve të këtij entiteti, dhe ndihmën financiare nga Serbia për institucionet e mbështetura nga Serbia në Kosovë.
Stano theksoi më 21 maj se aksioni policor i një dite më parë në veri i vë në rrezik zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që u arrit në fillim të vitit të kaluar.

“Operacioni i policisë së Kosovës po ashtu dëmton negociatat në vazhdim e sipër për një zgjidhje të përkohshme për njerëzit që kanë pasoja negative nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme”, shtoi ai. Ai e përsëriti se “statusi i strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet me dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë Serbe”. Stano u bëri thirrje dy vendeve fqinje t’i kthehen dialogut të Brukselit. Aksioni i autoriteteve të Kosovës u krye një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave. Rregullorja e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave.