Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani thotë se pastrimi i parave mbetet një shqetësim.
Gjatë raportimit para deputetëve në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për rezultatet e arritura nga SPAK në vitin 2023, Dumani u shpreh se grupet kriminale shqiptare janë përfshirë në tregun ndërkombëtar të trafikimit të drogërave të forta.
Dumani shtoi se grupet kriminale menaxhojnë call center-a duke u shkaktuar njerëzve një dëm prej miliona eurosh.
“Hetimet e vitit 2023, tregojnë se grupet kriminale shqiptare janë përfshirë në tregun ndërkombëtar të trafikimit të drogërave të forta, duke pasur e kontrolluar trafikun e ciklit të mbyllur. Këta grupe krinimale kanë aktivitet kryesisht në Amerikën e Jugut, Bashkimin Evropian, Britaninë e Madhe, por edhe në rajon. Duhet cilësuar si shqetësim veprimtaria e sofistikuar e grupeve kriminale, duke vepruar me call center. Aktiviteti i tyre kriminal, dëmi shaktohet në miliona euro. Nga analiza na rezulton se tregjet kriminale në Shqipëri, paraqesin situatë shqetësuese me grupe aktive në qytete si Tirana, Durrësi, Vlora, Gjirokastra, Fieri, Shkodra, Elbasani, Kurbini dhe Fushë Kruja. Në Tiranë dhe qytetet bredgetare grupet merren kryesisht me pastrimin e parave, trafiku i narkotikëve ka shfaqur problematikë në Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Kurbin.
Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri, përfshin përdorimin e bankave Korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë është i evidentuar në Shkodër, Durrës, Laç dhe Fushë Krujë. Në Fushë Krujë është i pranishëm tregtia e armëve. Pastrimi i parave të krimit të organizuar, investimet në prona, mbetet mënyra kryesore në pastrimin e parave në Shqipëri”, theksoi ai.