Nga Mero Baze/

Shkëlzen Berisha duket se ka mbetur i traumatizuar nga deklarata publike e Ylli Rakipit, duke dëshmuar se është ftuar në një mbrëmje në një tavolinë ku i ka gjetur ata bashkë me Çim Pekën, drejtuesin e televizionit Berishës. Tërbimi duket se ka ardhur nga reaksioni që ka brenda demokratëve për sjelljen hipokrite të Familjes Berisha, e cila nga një anë kërkon të përdorë demokratët me politikë parimore, edhe nga ana tjetër e gjithë veprimtaria e tyre është punë pazaresh për biznese dhe fitime marramendëse.

Çim Peka ka kërcënuar sot televizionin e drejtuar nga Endri Meksi, se është përfitues milionash nga pushteti dhe se këto do ti bëjë publike ditën e hënë, në shenjë hakmarrje ndaj deklaratës së Ylli Rakipit.

Pra që ta qartësojmë fabulën. Televizioni i Sali Berishës, do sulmojë televizionin e Endri Meksit, djalit të Aleksandër Meksit, pasi sipas Pekës ka shpifur për Shkëlzenin dhe për këtë do t’i denoncojë milionat që ka marrë nga pushteti.

Pyetja e thjeshtë që shtrohet në këtë rast është, po sikur Ylli Rakipi mos ta kishte bërë atë deklaratë, sikur ai të mos kish qenë tek ai takim dhe sikur mos t’ia kishte sjellë në majë të hundës Erion Veliaj, që ta thoshte atë deklaratë, ky televizoni parimor i Sali Berishës nuk do t’i denonconte kurrë këto “milionat” që paska marrë televizioni rival me ta, nga qeveria?

Këta sikur janë opozitë parimore dhe nuk lënë gjë pa denoncuar. Kjo deklaratë provon edhe më shumë faktin se çfarë pazarxhinjsh janë si opozitarë.

D.m.th. paskan informacione për korrupsion apo ndikim të paligjshëm në tendera, dhe nuk i denoncojnë, por i thonë kur u prekin Shkëlzenin. D.m.th. gjithçka bëhet për Shkëlzenin, Saliun, Argitën, Jamarbërin dhe Lirinë. Televizionin e kanë ngritur me lekë të zeza për ta, lejet e ndërtimit i marrin për ata, trafikun e influencës e bëjnë për ata dhe nëse dikush ua prek këta, pastaj dhe “denoncojnë”.

Kjo është shumë e rëndë, dhe më fundosëse për opozitën se një takim i mundshëm i Shkëlzenit me Erionin. Por puna është edhe më e rëndë se duke mos qenë e vërtetë por shantazh, tregon se përse u duhet atyre një medie ilegale.

U duhet të shantazhojnë kundërshtarët apo rivalët nëse hapin gojën për ta. U duhet po për atë punë që u duhet dhe Partia Demokratike. Si bunkier ku të mbrohen nga drejtësia dhe ligji.