Nga Eduard Zaloshnja

Në botën perëndimore porositen sondazhe rigoroze opinioni pothuaj të përditshme nga media të ndryshme, për të matur pulsin e qytetarëve të thjeshtë për çështje të rëndësishme të ditës. Në Shqipëri janë shumë më të rralla porosi të tilla për sondazhe.
Sidoqoftë, disa portale zhvillojnë përditë sondazhe online, ku i kërkojnë audiencës së tyre të shprehet për çështjet e nxehta të ditës. Dy ndër to, janë Shqiptarja.com dhe BalkanWeb. Në ditën e djeshme, ato e pyetën audiencën rreth opinionit për luftën e SPAK-ut ndaj krimit të organizuar.

Në sondazhin online tek Shqiptarja.com, 74.3% e lexuesve që morën pjesë në sondazh e vlerësonin pozitivisht luftën e SPAK-ut ndaj grupeve kriminale. Ndërsa në sondazhin online tek BalkanWeb, 62.8% e lexuesve që morën pjesë në sondazh e vlerësonin pozitivisht luftën e SPAK-ut ndaj krimit të organizuar (shihni dy sondazhet më poshtë).
Sondazhet online në portale nuk mund të përfaqësojnë statistikisht të gjithë popullsinë. Sidoqoftë, meqë kemi të bejmë me dy audienca të ndryshme portalesh, një mesatare e ponderuar e tyre mund të na japë një ide të përafërt të opinionit të shqiptarëve të thjeshtë.

Duke ponderuar numrin e votuesve në secilin sondazh me përgjigjet që kanë dhënë ata, rezulton se pothuaj 70% kanë një vlerësim pozitiv për luftën e SPAK-ut ndaj krimit të organizuar. Pra me afërsi, mund të thuhet se pothuaj 70% e shqiptarëve të thjeshtë kanë aktualisht një vlerësim pozitiv për luftën e SPAK-ut ndaj krimit të organizuar.