Qeveria e Sllovenisë miratoi këtë të enjte një propozim për të njohur një shtet të pavarur palestinez, tha kryeministri Robert Golomb, duke ndjekur hapat e Spanjës, Irlandës dhe Norvegjisë.
“Sot qeveria ka vendosur të njohë Palestinën si shtet të pavarur dhe sovran”, tha kreu i qeverisë sllovene gjatë një konference për shtyp në Lubjanë.
Masa është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të vendeve për të koordinuar presionin ndaj Izraelit për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Në këtë kontekst, Golob bëri thirrje për përfundimin e menjëhershëm të armiqësive midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza dhe lirimin e të gjithë pengjeve.
“Është një mesazh paqeje”, theksoi ai.
Qeveria sllovene ngriti një flamur palestinez krahas flamujve të Sllovenisë dhe BE-së përpara selisë së saj në Lubjanë.
Vendimi i qeverisë duhet të ratifikojë në ditët në vijim edhe parlamenti i vendit, anëtar i Bashkimit Evropian . Presidenti i saj njoftoi se organi do të votojë të martën e ardhshme për njohjen zyrtare të Shtetit të Palestinës.
Më 28 maj, Spanja, Irlanda dhe Norvegjia njohën zyrtarisht një shtet palestinez, duke shkaktuar një reagim të zemëruar nga Izraeli.
Nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, Suedia, Qiproja, Hungaria, Republika Çeke, Polonia, Sllovakia, Rumania dhe Bullgaria kanë njohur tashmë një shtet palestinez. Malta ka treguar se mund të pasojë së shpejti.
Britania dhe Australia kanë thënë se po konsiderojnë gjithashtu njohjen, por Franca ka thënë se koha nuk ka ardhur ende.
Gjermania pajtohet me SHBA-në, aleatin më të vendosur të Izraelit, duke refuzuar një qasje të njëanshme dhe duke këmbëngulur se një zgjidhje me dy shtete mund të arrihet vetëm përmes dialogut.
Të martën, parlamenti i Danimarkës votoi një projektligj për njohjen e një shteti palestinez.