Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka theksuar se agjenda e Këshillit të Evropës mund të ndryshohet në minutën e fundit, duke aluduar se votimi final i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare mund të hyjë në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave në KiE e cila pritet të mbahet më 16-17 maj. Por, që një gjë e tillë të ndodhë Kosova sipas diplomatit gjerman duhet të bëjë një hap substancial në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Kushtetuese për shqyrtim.
“Agjenda për mbledhjen e Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës mund të ndryshohet edhe në minutën e fundit. Por, sa më shpejt që Kosova merr një vendim të guximshëm, aq më realiste është anëtarësimi në KiE”, ka shkruar Rohde në platformën sociale, X.
Gjermania dhe Franca kanë kërkuar që Kosova të bëjë një hap substancial në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Kushtetuese për shqyrtim – kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës e ka quajtur “absurde” kërkesën e Gjermanisë dhe Francës që draft-statuti i Asocaicionit të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese para anëtarësimit në KiE.
“Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente të cilat s’i ka pranuar dhe që nuk janë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, ka thënë Kurti.