42 gola në 41 ndeshje këtë sezon, në moshën 39-vjeçare. Numra të pabesueshëm për çdo futbollist, por jo për Cristiano Ronaldon. Kampioni portugez ka shënuar 6 gola në 9 ditët e fundit, duke e çuar Al Nassr-in e tij drejt fitoreve kundër Al Khaalej në Kupën e Mbretit dhe Al Wehda dhe Al Akhdoud në kampionat.
Tani, fenomeni portugez shpreson të arrijë sa më shpejt një objektiv të ri sensacional: 900 gola në karrierë. “Duhet të arrij në 900 dhe mendoj se do t’ia dalim”, siguroi ai disa muaj më parë gjatë një eventi të FIFA-s. Ronaldos i nevojiten vetëm 9 gola për të arritur këtë objektiv, të cilin mund ta arrijë në ndeshjet e mbetura me Al Nassr si dhe gjatë Europianit me Portugalinë.
Cristiano Ronaldo është një nga futbollistët më të mirë të të gjithë kohërave. Luzitani ka shënuar 450 gola me Real Madrid, duke u shndërruar në golashënuesin më të mirë në historinë e spanjollëve si dhe plot 128 gola me Portugalinë, me kulmin që arriti në fitimin e ”Euro 2016”. Ronaldo ka realizuar një pafundësi golash edhe nga aty ku e nisi karrierën, Sportingu e më pas Manchester United. Së fundmi, portugezi është deçiziv edhe për Al Nassr në kampionatin Arab.
Më poshtë lista e golave të Cristiano Ronaldo:
Real Madrid 450 në 438 ndeshje
Manchester United 145 në 346 ndeshje
Juventus 101 në 134 ndeshje
Al Nassr 62 në 66 ndeshje
Sporting CP 5 në 31 ndeshje
Portugalia 128 në 206 ndeshje