Gianluigi Buffon do të kishte qenë i mirëpritur në portën e çdo klubi të madh, duke qenë se italiani ishte dhe do të mbetet pa dyshim një ndër portierët më të mëdhenj të historisë, për të mos thënë më i forti.

Gjithsesi, fatin për ta pasur me ngjyrat e tyre e kanë pasur Parma, Juventus më shumë se kushdo tjetër dhe PSG-ja për një sezon, ndonëse edhe shumë klube të tjera e kanë ëndërruar.
“Në vitin 2001 unë nuk e di sesi përfundova te Juventusi. Parma më kishte shitur te Roma, por për çështje detajesh në fund sfumoi gjithçka, pasi në mes u fut Barcelona. Edhe ata u duk sikur e mbyllën me klubin, kur ndërkohë më thërrasin të firmos dhe më thonë se do të shkoj te Juvja. Pasi kalova në Torino, çdo vit më kërkonin diku, si në 2005-ën për shembull kur isha unë që refuzova një klub shumë të madh… Pastaj isha sërish pranë Romës në 2011, por doja të punojë me Conte.

Ndërkohë, kur u ktheva nga PSG-ja duhej të kaloja te Porto, ku kisha parë edhe qytetin, por te Juvja erdhi Pirlo dhe më bllokoi: ‘Gigi, tani që erdha unë do që të ikësh’. Dhe si mund t’i thoja jo një miku”.