Serie A e futbollit vijon këtë të diel me ndeshjet e raundit të 37-të dhe të parafundit. Gjithçka nisi në 12:30, me Sassuolon që humbi 0-2 nga Cagliari dhe sezonin e ri do jetë pjesë e Serie B. Në 18:00 Inter luan me Lazion, teksa në 20:45 Roma pret Genoan.

Në “Mapei Stadium” Sassuolo nuk ia doli të merrte pikë dhe humbja 0-2 kundër Cagliarit bëri që nga sezoni i ri ekipi ta nisë garën në Serie B. Marash Kumbulla e nisi ndeshjen nga stoli dhe luajti 70 minuta, teksa në fund shkaktoi penallti. Mbrojtësi do rikthehet te Roma pas huazimit, ndërsa Nedim Bajrami nëse nuk ndërron ekip gjatë verës, sezonin e ri do duhet të luajë në Serie B.

Në “Friuli”, Udinese barazoi 1-1 në fund me Empolin dhe do jetë java e fundit (38) ajo që do vendosë ekipin e tretë të rrëzuar nga Serie A. Niang shënoi për Empolin në minutën e 90-të, teksa shtesa e gjatë bëri që Udine e Canavaros të fitonte penallti, e cila u kthye në gol nga Samardzic. Dy të kuq në fund për Empolin, me nervat që nuk munguan. Për momentin Empoli është në zonën e ftohtë, teksa javën e fundit pret në shtëpi Romën. Nga ana tjetër Udinese udhëton në Frosinone, në një ndeshje direkte.