Edhe për muajin Mars, Shqipëria ka zënë vendin e parë në Europë për rritjen më të lartë të fluksit të pasagjerëve nga ajri.
Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve e vendos vendin tonë në krye të listës së 47 shteteve për muajin që lamë pas, me një rritje prej 233%, krahasuar kjo me po të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Ky fluks i lartë vizitorësh nga ajri në Shqipëri ka lënë pas vendet më me traditë në fushën e turizmit, si Spanjën, Italinë apo Greqinë. Një renditje e tillë është komentuar në rrjetet sociale edhe nga kryeministri Rama i cili thotë se flukset e turistëve u shërbejnë shqiptarëve pasi të ardhurat që vijnë prej tyre përdoren për të rritur pagat e investimet.

“Kjo është arritje e Shqipërisë dhe gjithë këta që vijnë duke u shtuar i bëjnë jehonë pozitive vendit tonë, kur kthehen në vendet e tyre, prandaj kush s’e do qeverinë le ta shajë sa të dojë, po nuk ka pse të mos gëzohet për Shqipërinë kur e vërteta flet kaq qartë si në këtë rast”, tha Rama.

Ndërkohë sipas statistikave të INSTAT numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore në tremujorin e parë të vitit 2024 është 1.9 milionë nga 1.2 milionë pasagjerë që kanë udhëtuar vjet në po të njëjtin hark kohor, një rritje kjo me gati 64%.
Sakaq, nga Janari deri në Mars në vendin tonë hynë mbi 1.5 milion të huaj, 43% më shumë sesa vjet. Krahas vendeve të rajonit që janë grupi më i madh i të huajve të ardhur në Shqipëri, nga vendet e Europës, italianët mbajnë vendin e parë për numrin të lartë të turistë nga Janari në Mars. Vendin e dytë e mbajnë të huajt nga Anglia, pasuar nga Turqia dhe Gjermania.