Xabi Alonso nuk mund të kishte një shkollë më të mirë trajneri gjatë kohës së tij si futbollist dhe kjo pa dyshim ka ndikuar në formimin e “markës” së tij si trajner.
Ka diçka nga suksesi i Xabit në Leverkusen në përgatitjen e tij si trajner duke marrë parasysh të gjithë mësuesit që ka pasur. Cili do të ishte trajneri perfekt për Xabi Alonson? Ai përgjigjet vetë. Mësimet që ka marrë nën urdhrat e emrave më të mëdhenj të trajningut si Ancelotti, Guardiola, Mourinho, Pellegrini, Benítez, Denoueix, Toshack, Olabe, Ziarreta dhe Clemente dhe koha e tij në La Liga (Real Sociedad, Eibar dhe Real Madrid), Premier League (Liverpool) dhe Bundesliga (Bayern) kanë kontribuar për ta bërë trajnerin e Bayer Leverkusenit një “kameleon”. “Fakti që njoh kampionate të ndryshme më lejon të përshtatem shpejt”, pranon ai.

“Kam mësuar shumë nga të gjithë trajnerët e mi dhe e kam transformuar në personalitetin tim si një trajner që po e nis. Rafa (Benítez) është futboll, taktikë, si të përshtatesh, si të ndihmosh, çfarë të bësh… Pep (Guardiola) thotë: “Ne do të luajmë kështu dhe kjo do të ndodhë. Unë theksoj forcën dhe inteligjencën e Mourinhos në komunikim”. Trajneri i Bayer Leverkusenit luajti tri sezone nën drejtimit “The Special One”: u aktivizua në 151 ndeshje, shënoi tre gola, dha 23 asistime dhe fitoi tre trofe (një Ligë, 2011-12), një Kupë 2010-11), dhe një Superkupë të Spanjës. Ndikimi i Mourinhos është i dukshëm, por nuk duhet të harrojmë se Xabi e njeh shumë mirë fletoren e Guardiolës dhe Ancelottit, dy trajnerët që kanë fituar më shumë tituj në këtë shekull, si dhe stilet e Vicente del Bosques dhe Luis Aragonésit, referenca në kombëtare, që i dhanë mundësinë për të fituar Evropianin dhe Botërorin.