Julian Nagelsmann shpalli listën paraprake të Gjermanisë për Euro 2024, turne që do të zhvillohet pikërisht në shtëpinë e “Panezerave”. Nga 27 emrat e përzgjedhur nga ish-trajneri i Bayernit kishte disa befasi. Tërheq më së shumti vëmendjen mungesa e Mats Hummels, mbrojtës i Dortmundit, dhe e Leon Goretzkas së Bayernit. Në një konferencë për shtypin, trajneri i “Mannschaft” foli për reagimin e këtyre veteranëve të kombëtares, duke u shprehur se janë “jashtëzakonisht të zhgënjyer”:

“Kam pasur biseda të gjata me të dy dhe ata ishin jashtëzakonisht të zhgënjyer që nuk u thirrën. Mendoj se është e kuptueshme që ata janë të trishtuar për këtë.” Nagelsmann vazhdoi. “Këto nuk janë vendime të mira për t’u marrë. Në fund të ditës, si trajner kryesor, duhet të marr vendime që janë në interesin e skuadrës. Në fund, ata të dy ishin mjaft të zhgënjyer dhe do të donin të ishin pjesë e grupit.”
Me Goretzkan, zbuloi Nagelsman, biseda nuk ishte agresive. “Unë e njoh Leonin për një kohë të gjatë, kemi pasur shumë biseda. Ishte emocionale, sigurisht, por nuk kishte agresion nga asnjëra anë.”
Përveç Hummels dhe Goretzka, ka edhe sportistë si Brandt, Adeyemi dhe Sule, nga Borussia e Dortmundit apo Gnabry nga Bayerni, që tani është i dëmtuar.