Kandidati republikan për president, Donald Trump, pretendoi të enjten, pa ofruar prova, se emigrantët nga Afrika, Lindja e Mesme dhe gjetkë po “krijojnë një ushtri” për të sulmuar amerikanët
Gjatë një mitingu fushatës, Trump u përpoq të portretizonte emigrantët nga Kina, Republika Demokratike e Kongos dhe vende të tjera si një kërcënim të rrezikshëm, pavarësisht faktit se studimet kanë treguar se emigrantët kanë më pak gjasa të përfshihen në veprimtari kriminale.
“Pothuajse të gjithë janë meshkuj dhe duket se janë në moshë për të luftuar.Besoj se ata po krijojnë një ushtri”, u tha ish-presidenti disa mijëra mbështetësve që ishin mbledhur për ta dëgjuar.
“Ata duan të na sulmojnë nga brenda”, shtoi ai.
Gjatë gjithë fushatës së tij, Trump ka përdorur gjuhë nxitëse për të akuzuar emigrantët në SHBA në mënyrë të paligjshme se janë përgjegjës për krime të dhunshme, duke i quajtur ata “kafshë” që po helmojnë gjakun e vendit.
“Ne nuk do t’i lejojmë këta njerëz të vijnë të marrin qytetin tonë dhe të marrin vendin tonë”, theksoi ai, ndërsa u zotua se do të kryejë “operacionin më të madh të dëbimit në historinë e vendit” nëse rizgjedhet president.