Nga Kujtim Xhaja/
Besoj shumë prej jush që do ta lexoni këtë artikull. mund të keni dëgjuar për një perlë natyrore sic është Ujëvara e Sotirës në Gramsh, e disa syresh mund ta kenë vizituar atë nga afër. Unë tani do ju njoh me përvojën time gjatë një ekskursioni që kreva këtë fundjavë me kolegët e punës dhe le të shërbejë ky artikull, mbase si një motivim edhe për ju të tjerët që ende nuk e keni marrë hapin ende për ta eksploruar këtë bukuri të cilësuar edhe si “Niagara” e Shqipërisë.Nisemi në orën tetë të mëngjesit diku nga qendra e Tiranës me disa mikrobusë mjaft të rehatshëm, dua të theksoj se shumë agjenci turistike tashmë e kanë vendosur si destinacion Ujëvarën e Sotirës dhe është shumë e thjeshtë të rezervosh për këtë udhëtim. Koha prmton të jetë e mirë, një ditë jo shumë e nxehtë, por tipike si ditë Maji. Madje do ju sugjeroja ta kryenit edhe ju këtë eskursion gjatë kësaj periudhe të vitit, pasi temperaturat janë ideale për hiking. Nga Tirana deri në Gramsh na ndajnë vetëm 90 km, afërsisht 1 orë e dyzetë minuta udhëtim përgjatë një rruge të rehatshme, ku mund te sodisësh fushat e blerta. Terreni nuk ështe i vështirë, madje me cdo lloj mjeti është i përballueshëm. Gjatë rrugës mund të hasni edhe disa tezga-dyqane me fruta-perime bio, të cilat vetë fshatarët e atyre zonave i kanë nxjerrë për shitje. Kjo është një mënyrë e mirë promovimi për produktet tona edhe tek turistët e huaj, të cilët i shijojnë dhe dita-ditës po e frekuentojnë akoma dhe më shumë këtë destinacion.
Futemi në qytetin e vogël të Gramshit, ku na bien në sy pallatet e vjetër të kohës së komunizmit, disa fabrika të përpunimit të vajit të ullirit, pasi kjo zonë është e famshme edhe për këtë dhe disa lokale bar-kafe modeste të qytetit. Nga Gramshi për në Sotirë janë plot 15 km për tu përshkuar, që përllogariten afërsisht deri në dyzetë minuta të tjera rrugëtim. Nuk duhet humbur mundësia për të eksploruar një tjetër perlë natyrore sic është Hidrocentrali i Bënjës, i cili të thërret për të kundruar gjithë peisazhin e mrekullueshëm të kthjelltësisë së ujit dhe bimësisë së pasur. Ndalojmë për të pirë një kafe në një restorant tërheqës dhe shumë piktoresk, ku nuk mungojnë edhe shkrepjet e fotove për ta ruajtur në celuloid këtë eksperiencë magjike. Shkojmë drejt fshatit të famshëm, Kushovë e më pas për në Sotirë. Nga qendra e fshatit Sotirë, për në ujëvarë na duhen të përshkojmë 3.6 km të tjerë, e përllogaritur kjo në një orë e gjysmë rrugëtim në këmbë. Tashmë rruga nuk është më aq e lehtë, do të përballemi me vështirësitë e një rruge të pashtruar. Një mjet “4×4” do na hynte mirë në punë, dhe do na i bënte këtë udhëtim pak më komod.
Gjatë hiking-ut që ndërmarrim për në ujëvarë do të na tërheqin vëmendjen tarracat shkëmbore dhe bota bimore e egër e asaj zone, gati e paprekur dhe e virgjër. Terreni nuk është shumë i vështirë për tu ngjitur. një palë atlete të mira sportive dhe një shoqëri e mirë në grup do ua lehtësonin mjaft vështirësitë e vogla që mund t’iu dalin rrugës. Ecim me dëshirë dhe me një kuriozitet të pashoq drejt Ujëvarës së Sotirës dhe ky rrugëtim po na duket i veshur plot mister drejt dickaje që për ne është ende e panjohur.Tek-tuk na kapin sytë fshatarë të zonës të cilët na përshëndesin me mirësjellje dhe ne i pyesim nëse ka mbetur edhe shumë rrugë për të bërë deri tek ujëvara dhe ata, me atë përgjigjen që e kanë majë të gjuhës, na bëjnë me dije se ne tashmë kishim bërë më shumë se gjysmën e rrugës. Kuptojmë se jemi shumë afër me ujëvarën, kur një fllad i freskët po na përkëdhel fytyrën. Një zhurmë turfulluese uji po na cimpon veshët. Ja, mbërritëm! Një mrekulli e vërtetë! E dini cila është e vecanta e kësaj ujëvare?
Ajo përbëhet nga tre burime që depërtojnë malin nga lartësi të ndryshme (20-100 m) të cilat vijnë nga Mali i Tomorrit. Shkëmbinjtë gëlqerorë gjigandë ngrihen para nesh duke na dhuruar një miks ndjesish. Për të shkuar në fund të ujëvarës duhet të bësh ca kacavjerrje nëpër shkëmbinj, pasi këtu terreni fillon edhe “egërsohet” pak. Unë, personalisht jam shumë mirënjohës një mikeshe, e cila nuk ma ka ndarë dorën e saj ndihmuese gjatë zbritjes. 🙂 Kur prekim fundin e ujëvarës kuptojmë se kaq ishin peripecitë tona dhe tashmë jemi gati të shijojmë këtë spektakël të vërtetë dhe të bëjmë ato fotot tona me rezolucion të lartë, sic i ka hije këtij peisazhi. Përfundojmë fotot dhe ulemi për një piknik të mirë në fushën e gjerë të blertë dhe në freskinë që të dhuron ujëvara. Pasi jemi shplodhur në atë qetësi që ta ofron vetëm natyra e gjallë e fshatit, jemi gati tashmë të ndërmarrim kthimin për në Tiranë. Si cdo destinacion që e ka një përfundim, edhe këtij destinacionit tonë i erdhi fundi, por kënaqësia që morëm me vete ishte vërtëtë e pashlyeshme, si ato kënaqësitë që të vijnë vetëm një hërë në jetë, ndaj ja vlen ta provosh, pse jo edhe ta riprovosh…