Izraeli ka marrë kontrollin e kufirit jugor të Gazës me Egjiptin, duke arritur një qëllim kyç të ofensivës së Rafahut, ndërsa kërkon të eliminojë Hamasin pa kaluar linjat e kuqe të vendosura nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Zyrtarët izraelitë thonë se marrja e kontrollit të kufirit afërsisht 9 milje, i njohur si Korridori i Filadelfit, do t’i lejojë Izraelit të parandalojë Hamasin nga riarmatosja duke kontrabanduar armë përmes tuneleve që arrijnë në Egjipt. Izraeli e kontrolloi për herë të fundit korridorin në vitin 2005, përpara se t’u jepte kontrollin e enklavës palestinezëve.
“Në ditët e fundit, forcat e ushtrisë izraelite kanë fituar kontrollin operacional të korridorit të Filadelfit në kufirin me Egjiptin dhe Rafahun. Korridori i Filadelfit shërbeu si korridor i Hamasit përmes të cilit Hamasi merrej me kontrabandë në Rripin e Gazës rregullisht. Hamasi përfitoi nga korridori i Filadelfit dhe ndërtoi këto infrastruktura pak metra larg kufirit me Egjiptin, në mënyrë që ne të mos i sulmonim”, tha Daniel Hagari, zëdhënës i Ushtrisë izraelite. Marrja e kufirit në momentin kur një këshilltar i lartë i Benyamin Netanyahu, ka thënë se lufta do të zgjasë të paktën deri në fund të vitit. Pavarësisht presionit të vazhdueshëm ndërkombëtar që bën thirrje për një armëpushim, i cili është intensifikuar që nga vrasja e 45 palestinezëve të zhvendosur në Rafah në fundjavë, këshilltari i sigurisë kombëtare i Izraelit, tha se luftimet do të vazhdojnë gjatë gjithë pjesës tjetër të këtij viti dhe ndoshta edhe më tej. Sakaq, Uashingtoni i ka dhënë dritën jeshile për vazhdimin e aksionit izraelit në Rafah. Shtetet e Bashkuara i quajtën “tragjike” sulmet ajrore fatale që vranë palestinezët e zhvendosur, por me anë të zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë thanë se Izraeli nuk kishte kaluar asnjë nga vijat e kuqe të Presidentit Biden.